Sofyan Amrabat pritet ta vijojë karrierën në Premier League.
Bisedimet mes Fiorentinës dhe Liverpoolit janë drejt mbylljes.
Pra, e ardhmja e marokenit nuk do të jetë as në Manchester, as Barcelonë dhe as në Madridit, tek Atletico. Krejt papritur, futbollisti që shkëlqeu në botëror do të vihet nën urdhrat e Jurgen Kloppit.
Fiorentina ka kërkuar gjithmonë 35 milionë euro për ta lënë lojtarin të largohet. Një shifër që edhe West Hami do të kishte qenë i gatshëm ta shpenzonte për të blerë mesfushorin maroken.
Vetë Amrabat, megjithatë, nuk pranoi të shkonte dhe të luante për Hammers, fituesit e freskët të Ligës së Konferencës, pasi mposhti Fiorentinën në finale.
Në vetëm një dritare transferimi, Liverpooli humbi Jordan Hendersonin dhe Fabinhon, të cilët të dy u transferuan në Arabinë Saudite. Largimeve të tyre u duhen shtuar edhe ato të James Milner (Brighton) dhe Naby Keita (Werder Bremen).
Sa u përket afrimeve, Liverpooli ka blerë dy mesfushorë: Dominik Szoboszlai (Leipzig) dhe Alexis Mac Allister (Brighton), megjithatë duhet të shtojë një element tjetër në repartin e ndërmjetëm. Ky, siç u përmend më lart, do të jetë Amrabat.
/BotaSot/