Junta ushtarake që ka ardhur në pushtet në Niger ka thënë sot se do të gjykojë ish-presidentin Mohamed Bazoum për tradhti të lartë dhe rrezikim të sigurisë kombëtare.
Njoftimi i juntës vjen mes presionit ndërkombëtar që po i bëhet autoriteteve të reja për të rikthyer në postin e tij presidentin Bazoum.
Ai raportohet se po mbahet në një bodrum të pallatit presidencial që prej grushtit të shtetit rreth tre javë më parë.
Bazoum është në “humor të mirë” megjithëse po mbahet në kushte të vështira, tha sot doktori i tij pas një vizite, sipas autoriteteve ushtarake.
Duke ashpërsuar qëndrimin e tyre përballë thirrjeve perëndimore, junta tha në deklaratën e saj televizive se kishte mbledhur prova të mjaftueshme për të gjykuar ish-presidentin dhe bashkëpunëtorët e tij vendas dhe të huaj, për tradhti të lartë dhe për rrezikim të sigurisë së brendshme e të jashtme të Nigerit”.
Ata nuk jepnin më shumë detaje.
63 vjeçari Bazoum, po mbahet i burgosur bashkë me gruan dhe të birin.
Ndërkohë gjenerali Abdourahmane Tchiani, kreu i gardës presidenciale, e shpalli veten udhëheqës të ri të Nigerit më 26 korrik pas përmbysjes së presidentit.
Grupi i vendeve afrikano-perëndimore Ecowas ka kërcënuar me veprim ushtarak për të shtypur grushtin e shtetit, por deri tani nuk ka bërë gjë për të mbajtur premtimin, shkruan rrjeti britanik BBC.
Krerët e grushtit të shtetit kanë thënë se do të mbrojnë veten dhe pushtetin e tyre kundër çdo ndërhyrjeje.
Vendet e Ecowas kanë shpallur sanksione ndaj juntës, duke përfshirë dhe ndërprerjen e energjisë elektrike, çka ka shkaktuar ndërprerje në kryeqytetin Niamey, dhe disa qytete të tjera të mëdha.
Dje një delegacion i lartë klerikësh nga Nigeria fqinje u takua me liderët e rinj në Niamey duke kërkuar të gjenin fundin e krizës.
Kryeministri i caktuar nga junta Ali Mahamane Lamine Zeine, tha se besonte se bisedimet me vendet e Ecowas do të nisnin së shpejti “për të diskutuar mbi heqjen e sanksioneve”.
Grushti i shtetit në Niger duket i ngjashëm me lëvizjet e këtij lloji në Burkina Faso, Mali, ku militantë me lidhje islamiste kanë shpuar besnikëri ndaj Rusisë, përkundër lidhjeve me vendet ish-koloniale si Franca.
Megjithse i burgosur, Bazoum ka publikuar një artikull në rrjetin Washington Post ku deklaronte se “po mbahet peng dhe se grushti i shtetit mund të ketë pasoja të rënda për të vendin dhe të gjithë botën”.
Top Channel