BOTA

Udhëheqësit e Afrikës Perëndimore diskutojnë alternativat për ndërhyrje në Niger

Udhëheqësit e Afrikës Perëndimore po diskutojnë të shtunën mbi alternativat e mundshme për përmbysjen e grushtit të shteti në Niger që ka tronditur rajonin, por nga ana tjetër gëzon mbështetje të madhe në vend.

Ushtria e Nigerit burgosi presidentin Mohamed Bazoum muajin e kaluar dhe mori pushtetin, një veprim që u dënua nga fuqitë ndërkombëtare dhe ngjalli frikën për konflikt të mëtejshëm në rajonin e varfër Sahel të Afrikës Perëndimore.

Blloku rajonal ECOWAS vendosi të enjten të aktivizojë një grup pune me pjesëmarrjen e trupave nga i gjithë rajoni për një ndërhyrje të mundshme ushtarake për të përmbysur grushtin e shtetit.

Në lojë nuk është vetëm fati i Nigerit – një prodhues kryesor i uraniumit dhe aleat kryesor perëndimor në luftën kundër islamistëve – por edhe shqetësimet e fuqive globale me interesa strategjike kyçe në rajon.

Trupa amerikane, franceze, gjermane dhe italiane janë vendosur në Niger për të zmbrapsur degët lokale të Al Kaedës dhe Shtetit Islamik që kanë vrarë mijëra vetë dhe zhvendosur miliona të tjerë në të gjithë Sahelin.

Fuqitë perëndimore druhen se mund të forcohet ndikimi rus nëse junta në Niger ndjek shembullin e Malit duke dëbuar trupat perëndimore dhe duke thirrur mercenarë nga Grupi Wagner i Rusisë.

Mijëra vetë u mblodhën në kryeqytetin e Nigerit të premten për të demonstruar në favor të grushtit të shtetit. Tubimi filloi në një bazë ushtarake franceze në kryeqytetin Niamey, më pas protestuesit me banderola dhe flamuj u përhapën në rrugët përreth. “Rroftë Rusia, Poshtë Franca… Poshtë ECOWAS”, shkruhej në tabelën e një protestuesi, që i referohej Komunitetit Ekonomik të Shteteve të Afrikës Perëndimore.

Nuk është ende e qartë se sa kohë do t’i duhet forcës së ECOWAS-it të organizohet, sa e madhe do të ishte ajo dhe nëse me të vërtetë do të ndërhynte. Organizata theksoi se të gjitha opsionet ishin në tryezë dhe se shpresonte për një zgjidhje paqësore.

Analistë të sigurisë thonë se mund të duhen javë të tëra për formimin e forcës, gjë që ndoshta krijon hapësirë për negociata.

Ndërkohë, Bashkimi Afrikan, Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe Kombet e Bashkuara thanë se ishin gjithnjë e më të shqetësuar për kushtet e paraburgimit të presidentit Bazoum.

Komisioneri i OKB-së për të Drejtat e Njeriut Volker Turk tha të premten se kushtet po përkeqësoheshin me shpejtësi dhe mund të përbënin shkelje të ligjit ndërkombëtar për të drejtat e njeriut.


Top Channel

Related posts

Zelensky mbërrin në Danimarkë – Top Channel

admin

PËRFUNDIMI I LUFTËS RUSI-UKRAINË – Kreu

admin

Blinken takohet me Zelenskyn në Kiev

admin

Leave a Comment