Rusia nisi anijen e saj të parë kozmike drejt Hënës në pothuajse gjysmë shekulli, me shpresën se do të bëhet vendi i parë që do të zbarkojë në polin jugor të satelitit të vetëm natyror të Tokës, një zonë kjo ku besohet se ka depozita uji të ngrirë.
Misioni hënor i Moskës, i pari prej vitit 1976, u nis si sfidë kundër Indisë që hodhi të njëjtin hap muajin e kaluar. Por në garë janë përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara dhe Kina, të cilat kanë programe të avancuara të eksplorimit në Hënë, dhe të gjitha e shënjestrojnë polin jugor.
Raketa ruse Soyuz 2.1, bashkë me pajisjen për lëshim në Hënë Luna-25, u lëshuan brenda afatit të përcaktuar nga kozmodromi Vostochny.Anija kozmike pritet të mbërrijë në sipërfaqe të Hënës më 21 gusht, sipas shefit të Agjencisë Hapësinore ruse, Yuri Borisov. “Tani do ta presim datën 21. Shpresoj se do ta realizojmë uljen me precizitet të lartë. Shpresojmë se do të jemi të parët”, deklaroi ai. Luna-25, që e ka madhësinë e një makine të vogël, pritet të operojë për një vit në polin jugor të Hënës, ku shkencëtarët e Agjencisë Hapësinore amerikane NASA, dhe agjenci të vendeve tjera, kanë identifikuar ujë të ngrirë në disa kratere.
Ky mision, të cilin Rusia e ka planifikuar për dekada, do të testojë pavarësinë e këtij vendi që pas nisjes së luftës në Ukrainë, më 2022, i ka shkëputur pothuajse të gjitha lidhjet me Perëndimin, pavarësisht rolit të tij në Stacionin Hapësinor Ndërkombëtar. Astronauti amerikan Neil Armstrng është personi i parë që ka shkelur në sipërfaqe të Hënës më 1969, por misioni i ish-Bashkimit Sovjetik Luna-2, ishte i pari që ka arritur ndonjëherë në sipërfaqe të Hënës më 1959.
Top Channel