BOTA

Shtetet e Amazonës kërkojnë veprime urgjente për ndryshimet klimatike

Tetë shtete të Amazonës u kanë bërë thirrje shteteve të industrializuara që të bëjnë më shumë për të ndihmuar në ruajtjen e pyllit më të madh tropikal të botës, gjatë takimit në një samit në Brazil, ku diskutuan për një qasje të përbashkët se si të luftohen ndryshimet klimatike.

Samiti dyditor i udhëheqësve të shteteve të Amerikës së Jugut, ku gjendet edhe Amazona, përfundon të mërkurën. Liderët thanë se detyra e ndaljes së shkatërrimit të pyllit nuk mund të bjerë vetëm mbi disa shtete, kur kriza është shkaktuar nga shumë shtete.

Anëtarët e Organizatës së Traktatit për Bashkëpunim në Amazonë, apo ACTO, po shpresojnë se një front i bashkuar do t’iu japë zë më të fuqishëm në bisedimet globale.

“Pylli na bashkon. Është koha që ta shohim zemrën e kontinentit tonë dhe ta konsolidojmë një herë e mirë identitetin tonë të Amazonës”, tha presidenti i Brazilit, Luiz Inacio Lula da Silva.

Thirrjet e presidentëve të shteteve, përfshirë të Brazilit, Kolumbisë dhe Bolivisë, u bënë në kohën kur liderët po tentojnë të nxisin zhvillimin ekonomik në rajonet e tyre dhe të njëjtën kohë të parandalojnë që situata në Amazonë “të mos arrijë në pikën ku më nuk do të ketë kthim prapa”, u tha në deklaratën e përbashkët të lëshuar pas ditës së parë të samitit.

Disa shkencëtarë kanë thënë se kur 20 deri në 25 për qind e pyllit të shkatërrohet, reshjet do të reduktohen në mënyrë dramatike, duke e transformuar më shumë se gjysmën e pyllit në një savanë tropikale dhe duke shkaktuar humbje të madhe të biodiversitetit.

Samiti përforcon strategjinë e Lulas që të rrisë shqetësimin në nivel global për ruajtjen e Amazonës. I inkurajuar nga një rënie prej 42 për qind e shpyllëzimit gjatë shtatë muajve të parë që kur ka marrë postin e presidentit, ai synon që të kërkojë mbështetje ndërkombëtare financiare për mbrojtjen e pyllit.

Amazona shtrihet në një sipërfaqe dy herë më të madhe sesa madhësia e Indisë. Dy e treta e Amazonës gjendet në Brazil, ndërkaq pjesa tjetër në shtatë shtete të tjera dhe një territor. Qeveritë historikisht e kanë parë këtë hapësirë si zonë që mund të kolonizohet dhe shfrytëzohet, me pak përfillje për qëndrueshmërinë ose të drejtat e popujve indigjenë që jetojnë aty.

Të gjitha shtetet pjesëmarrëse në samit e kanë ratifikuar marrëveshjen për klimë të Parisit, që kërkon nga nënshkruesit të vendosin synime për uljen emetimeve të gazrave serrë. Por, bashkëpunimi mes shteteve historikisht ka qenë problem dhe është minuar nga niveli i ulët i besimit, nga dallimet ideologjike dhe nga mungesa e pranisë së qeverive.

Përveç konsensusit të përgjithshëm që kërkohet për të ndarë përgjegjësitë globale, anëtarët e ACTO-s, të cilët janë mbledhur vetëm katër herë që kur është krijuar kjo organizatë – demonstruan të hënën se nuk janë krejtësisht të unifikuar për çështjet kyçe. Samiti i kësaj jave shënon takimin e parë në 14 vjet të kësaj organizate që është krijuar 45 vjet më parë.

Angazhimet për mbrojtjen e pyllit më herët kanë qenë të pabarabarta dhe edhe gjatë këtij samiti duket se nuk kanë ndryshuar. “Deklarata e Belemit”, apo deklarata zyrtare e lëshuar të martën, nuk përfshiu zotimet për zero shpyllëzim deri në vitin 2030. Brazili dhe Kolumbia veçse kanë bërë zotime për këtë gjë. Lula ka thënë se ai shpreson që dokumenti do të jetë një thirrje e përbashkët për konferencën e klimës COP 28, që do të mbahet në nëntor.

Një pikë kyçe ndarëse gjatë ditës së parë të samitit ishte nafta. Presidenti i majtë i Kolumbisë, Gustavo Petro, bëri thirrje për ndaljen e eksplorimit të naftës në Amazonë – një referencë për qasjen e Brazilit dhe shteteve të tjera të rajonit që prodhojnë naftë – dhe tha se qeveritë duhet të hapin një rrugë drejt “prosperitetit të dekarbonizuar”.

“Një xhungël nga e cila nxirret naftë. A është e mundur që të mbahet qëndrimi politik në këtë nivel? Duke u bazuar në vdekje shkatërrimin e jetës”, tha Petro. Ai, po ashtu, foli edhe për mënyrat e ripyllëzimit për kullotat dhe plantacionet, që mbulojnë pjesën më të madhe të kërkesës së Brazilit për ushqyerjen e bagëtive.

Lula, që e prezanton veten si lider mjedisor në skenën ndërkombëtare, është përmbajtur nga deklaratat për naftën, duke thënë se ky vendim është bazuar në çështje teknike. Ndërkaq, kompania shtetërore e Brazilit, Petrobras, synon që të eksplorojë për naftë afër lumit të Amazonës.

Pavarësisht mospajtimeve mes shteteve, ka pasur sinjale inkurajuese për rritjen e bashkëpunimit rajonal për njohjen e rëndësisë në nivel global të Amazonës për frenimin e ndryshimeve klimatike.

Arritja e një qëndrimi të përbashkët, si dhe rritja e financimit të ACTO, mund të ndihmojë përfaqësuesit e rajonit gjatë pjesëmarrjes së tyre në skenën globale, para mbajtjes së konferencës për klimën, COP.

“Amazona është pasaporta jonë për raportin e ri me botën, për një raport më simetrik, ku burimet tona nuk shfrytëzohen për të përfituar disa, por vlerësohen dhe të shërbejnë për të gjithë”, tha Lula.

Presidenti i Bolivisë, Luis Arce, tha se Amazona ka qenë viktimë e kapitalizmit, që është reflektuar nga zgjerimi i kufijve bujqësorë dhe shfrytëzimi i burimeve natyrore. Ai theksoi se shtetet e industrializuara janë përgjegjëse për pjesën më të madhe të emetimeve të gazrave serrë.

“Fakti që Amazona është një territor i rëndësishëm nuk do të thotë se të gjitha përgjegjësitë, pasojat dhe ndikimet e ndryshimet klimatike duhet të bien mbi ne, në qytetet tona dhe ekonomitë tona”, tha Arce.

E nënshkruar nga zyrtarët e tetë shteteve, Deklarata e Belemit veç tjerash dënoi përhapjen e barrierave mbrojtëse tregtare, që sipas nënshkruesve të deklaratës, kanë efekte negative te fermerët e varfër të shteteve në zhvillim dhe pengojnë promovimin e produkteve të Amazonës dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

Përmes deklaratës u bë thirrje që shtetet e industrializuara të respektojnë obligimet e tyre duke ofruar mbështetje masive financiare për shtetet në zhvillim. Pjesëmarrësit në samit, po ashtu, bënë thirrje për forcimin e bashkëpunimit mes agjencive të zbatimit të ligjit.

Në ditën e parë të samitit mori pjesë edhe kryeministri i Gujanës, zëvendëspresidenti i Venezuelës dhe ministrat e Jashtëm të Surinamit dhe Ekuadorit.

Ndërkaq, në takimin e 9 gushtit do të marrin pjesë edhe përfaqësuesit e Norvegjisë dhe Gjermanisë, që janë kontribuues të mëdhenj të Fondit brazilian për Amazonën, që synon zhvillimin e qëndrueshëm. Po ashtu, pjesëmarrës në samit do të jenë përfaqësuesit e Indonezisë, Republikës së Kongos, Republikës Demokratike të Kongos, Francës dhe territorit të Guineas Franceze që është territor në Amazonë./ REL


Top Channel

Related posts

Franca planifikon t’i ndalojë cigaret elektrike njëpërdorimshe

admin

Erdogani kërkon që Rusia të mos ndërhyjë në marrëveshjen për drithërat

admin

Pamjet e arratisjes/ Vrasësi brazilian hipën me këmbë e duar në murin e burgut

admin

Leave a Comment