Në të njëjtën kohë që u botua një letër në të cilën dhjetëra deputetë perëndimorë kërkonin nga SHBA-ja, BE-ja dhe Britania e Madhe që të ushtronin presion mbi Beogradin, një mesazh tjetër erdhi nga zyrtarët e Ukrainës, e cila ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.
Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit të Ukrainës, Aleksandar Merezhko, i cili është edhe vetë nënshkrues i letrës së lartpërmendur, tha se në Kiev po diskutohet për njohjen e pavarësisë së Kosovës, “edhe pse nuk është e lehtë të merret një vendim i tillë”.
Merezhko tha se në Parlamentin e Ukrainës ka deputetë që mbështesin njohjen e pavarësisë së Kosovës.
“Si qytetar ukrainas, shoh që Kosova është në anën e Ukrainës, pasi ajo ka vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe se po përpiqet të na mbështesë. Nga komunikimi që kam pasur me kolegët e mi serbë, shoh disa dyshime. Fatkeqësisht, ndonjëherë Serbia anon drejt Rusisë”, tha ai, shkruan Vreme.
Merezhko ka theksuar se në përgjigje të mbështetjes që Kosova i jep vendit të tij, Ukraina duhet të hapë një zyrë ndërlidhëse në Prishtinë. Dhe meqenëse Ukraina nuk merr mbështetje nga Serbia, ai pranoi se vendimi i Kievit për të njohur Kosovën “ka avantazhet e tij”.
Merezhko ka thënë se ka folur disa herë me kolegët e tij nga Kosova, ndërsa ka shpjeguar se qëllimi i asaj letre ka qenë të tentohet “ndalimi i përshkallëzimit dhe parandalimi i trazirave”.
“Qëllimi është që të dyja palët të trajtohen në mënyrë të barabartë dhe të drejtë”, ka saktësuar ai, duke folur për sjelljen e bashkësisë ndërkombëtare ndaj Kosovës dhe Serbisë.
Ai shtoi se e sheh se “situata në Evropë është e rrezikshme” dhe paralajmëroi se një përshkallëzim i mundshëm në Ballkanin Perëndimor mund të shkëpusë vëmendjen nga lufta e Ukrainës kundër agresionit rus.
Ambasadori i Ukrainës në Serbi, Volodymyr Tolkach, njoftoi më 8 gusht se ka gjithnjë e më shumë zëra në shoqërinë ukrainase të cilët mbështesin njohjen e pavarësisë së Kosovës, duke shtuar gjithashtu se ka një numër të caktuar deputetësh në parlamentin ukrainas – përkrahës të idesë së njohjes së mundshme.
Radio Evropa e Lirë në gjuhën serbe ka thënë se Tolkaq ka theksuar se qëndrimi i Ukrainës për njohjen e Kosovës mbetet i pandryshuar sepse çështja e “formimit dhe zbatimit të politikës së jashtme në përputhje me legjislacionin ukrainas i përket presidentit të Ukrainës”.
“Pozicioni i Ukrainës është parimor dhe i qëndrueshëm – Ukraina respekton integritetin territorial të Serbisë”, thuhet në njoftimin e ambasadorit.