BOTA

“Lëvizja e peshqirëve”/ Protestat për lirimin e hapësirave publike sjellin rezultate në Greqi

Filloi nga ishujt Paros dhe Naksos nëpërmjet postimeve në rrjetet sociale dhe sot është përhapur edhe në plazhet e zonës turistike të Halkidhikisë.

E ashtuquajtura “Lëvizja e peshqirëve” mbështetet nga grupe të qytetarëve, që jo vetëm në ishujt grekë, por edhe në zona të tjera të Greqisë, kanë nisur protestat kundër  përhapjes së  tepërt të shezlongëve dhe çadrave në plazhe, në mënyrë të paligjshme nga disa biznese private, duke mos u lënë vendasve  hapësirë të lirë për të vendosur peshqirët e tyre.

Protestat sollën frytet e para në ishullin Paros kur pronarët e disa bizneseve private që abuzojnë me hapësirat e plazhit filluan të heqin çadrat e paligjshme, por fenomeni në fjalë ka përmasa tepër të mëdha duke përjashtuar banorët nga plazhet publike dhe duke rritur çmimet e shezlongëve e çadrave që variojnë nga 16 euro deri në 100 e më shumë, në plazhet luksoze të vendit.

Protestat qytetare kundër zaptimit në mënyrë të paligjshme nga subjektet private  të hapësirave publike kanë detyruar qeverinë greke të planifikojë masa në interes të banorëve dhe pushuesve të cilët në protesta theksojnë se e drejta për të pasur hapësira publike falas në plazhet e vendit mbrohet nga kushtetuta greke.

Autoritetet kanë filluar inspektimet duke përpiluar udhëzime të reja në formën e ndëshkimit financiar për bizneset që kanë abuzuar me lejet e dhëna.

Sipas një vendimi të përbashkët ministror të marsit të kaluar subjektet që  marrin me qira zona plazhi mund të vendosin çadra dhe shezlongë në 60% të bregut, pavarësisht sipërfaqeve katrore dhe vetëm në 30% të plazheve që i janë bashkuar rrjetit Natura 2000.

Gjithashtu duhet të respektojnë  distancën prej  100 metrash nga subjekti fqinj dhe ligjin për ndotjen akustike duke mos tejkaluar 50 decibel muzikën që luajnë në baret e plazheve. Legjislacioni i detyron pronarët e bizneseve të sigurojnë akses të lirë të pushuesve vertikalisht dhe paralelisht me detin dhe të ketë një zonë të lirë nga vija bregdetare të paktën 5 metra të gjerë.


Top Channel

Related posts

Ministrja gjermane: Kina po e sfidon mënyrën se si jetojmë së bashku në botë

admin

Pamje të çmendura nga festivali veror i vrapimit me demat në Pamplona të Spanjës (fotot)

admin

Rrëzohet për vdekje piloti i helikopterit zjarrfikës në zjarret në Kanada (fotot)

admin

Leave a Comment