BOTA

Takim ndërkombëtar në Arabinë Saudite për Ukrainën

Ukraina dhe aleatët e saj do të kërkojnë përkrahje për kornizën e një plani paqësor gjatë një takimi do të mbahet në portin e Xhedës, në Arabinë Saudite gjatë fundjavës.

Udhëheqësit ukrainas dhe perëndimorë duan që pjesëmarrësit në takim, përfaqësues të rreth 40 shteteve të pajtohen rreth parimeve kryesore të një plani të mundshëm paqeje, që do t’i jepte fund pushtimit rus në Ukrainë.

Në veçanti, Ukraina synon që përmes këtij takimi të fitojë përkrahje nga shtetet e hemisferës jugore – ndër to, Brazili, India, Afrika Jugore dhe Turqia – duke vënë theksin tek ngritja e çmimeve për shkak të vendimit rus për të braktisur marrëveshjen që lejonte kalimin e sigurtë të grurit ukrainas nëpër Detin e Zi dhe sulmeve ndaj infrastrukturës së porteve në Ukrainë.

Shtetet e Bashkuara thanë të enjten se mbështesin takimin në Xheda dhe e konsiderojnë si përpjekje për të mobilizuar përkrahje për të ashtuquajturën “formulë të paqes” të Presidentit të Ukrainës, Volodimir Zelenski.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë Kombëtare, John Kirby i tha Zërit të Amerikës, se takimi në Xheda është mundësi për të sqaruar idetë e Presidentit Zelenski për një pjese të bashkësisë ndërkombëtare dhe për të rritur përkrahjen për planin e tij.

Rusia nuk është pjesë e këtij angazhimi.

“Nuk bëhet fjalë për bisedime paqeje. Nuk bëhet fjalë për negociata për t’i dhënë fund luftës. Janë rrethana të tjera. Takimi në Xheda nuk duhet të shihet si forum përmes të cilit dalin rezultate konkrete. Është mundësi për një diskutim të vazhdueshëm se si mund të duket formula e paqes.”

Zoti Kirby tha se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbështesin idenë se nuk mund të flitet “për Ukrainën pa Ukrainën.”

“Natyrisht, secili shtet duhet të vendosë për veten se sa dëshiron të identifikohet me formulën e paqes së zotit Zelenski. Dhe se deri në çfarë shkalle, kur dhe nëse do të ketë negociata për paqe, se çfarë roli dëshiron të luajnë. Ajo që ne kemi thënë është se nuk do të ketë asgjë për Ukrainën pa Ukrainën. Andaj kurdo që zoti Zelenski të jetë i gatshëm të ulet me zotin Putin dhe kjo nuk duket se ka gjasa të ndodhë së shpejti, kemi thënë dhe do të vazhdojmë të mbajmë këtë qëndrim se pikëpamja e zotit Zelenski, pikëpamja e Ukrainës, duhet të jetë baza e negociatave,” theksoi zoti Kirby.

Por, gjasat për një përfundim të shpejtë të luftës duken larg.

“Zoti Putin nuk ka dhënë ndonjë shenjë se ka vullnet për të negociuar, në fakt ka dëshmuar të kundërtën. Jemi dëshmitarë të numrit të shtuar të sulmeve në 48 orët e fundit ndaj ngarkesave të grurit në lumin Danub. Ai po bën çdo gjë në fuqinë e tij jo vetëm të mbajë territorin që nuk i takon në Ukrainën lindore, por të kufizojë mundësinë e Ukrainës që të eksportojë grurin dhe ushqimin te shtetet gjithandej botës, përfshirë shtetet e hemisferës jugore,” thotë zoti Kirby për Zërin e Amerikës.

Zoti Kirby tha se shpreson që Rusia do ta shoh me vëmendje takimin në Xheda dhe të kuptojë se “ajo që po bën zoti Putin është një sjellje joligjore, e paprovokuar dhe shkelje e plotë e kartës së OKB-së, parimet e së cilës mbi integritetin territorial dhe sovranitetin, shumë nga këto shtete vazhdojnë t’i mbështesin.

“Shpresoj që rusët gjithashtu do ta kuptojnë se po shtohet numri i shteteve që kanë filluar të shohin, që vendimi i pamenduar i zotit Putin për të braktisur Marrëveshjen e Gjelbërt, po i lë pa bukë, po përkeqëson urinë në shumë shtete dhe po i kontribuon pasigurisë ushqimore përgjatë hemisferës jugore,” theksoi zoti Kirby.


Top Channel

Related posts

Skuadrat e shpëtimit kërkojnë amerikanin e sëmurë në shpellën 1000m të thellë në Turqi (fotot)

admin

Gjermania akuzon gardianin nazist për bashkëpunim në vrasje

admin

VIDEO/ Burra të armatosur me jelek antiplumb kalojnë kufirin në SHBA, dyshime se janë anëtarë të karteleve meksikane

admin

Leave a Comment