Më shumë se 300 punonjës të Policisë së Shtetit të gradave drejtuese janë duke u verifikuar nga Prokuroria e Posaçme si të dyshuar për lidhjet me krimin.
Bëhet fjalë, për drejtues të drejtorisë së përgjithshme, të drejtorive vendore dhe shefave të komisariateve. Emrat e tyre kamë dalë në dosjen e mbërritur nga autoritetet belge dhe franceze, që çoi në prangosjen e ish-drejtorit të forcave Operacionale, Oltian Bistri, Prokurorit Xhevahir Lita dhe biznesmenit Pëllumb Gjoka.
Ata po verifikohen si të dyshuar që mbanin lidhje dhe kontakte me personazhe të ndryshëm të botës së krimit. Për disa prej tyre janë dërguar fletë-thirrje nga SPAK për t’u marrë në pyetje dhe që pritet të paraqiten ditët në vijim.
Në bisedat në aplikacionin SKY, disa shefa komisariatesh bisedojnë për pagesa fikse mujore që ata apo drejtues të tyre merrnin nga krimi, për veprimtari të paligjshme si lojërat e fatit apo edhe dhe të tjera.
Në dosjen e mbërritur nga partnerët ndërkombëtar, ka informacione edhe për zyrtarë të ndryshëm.
Gjithashtu në transkriptime e mbërritura në SPAK, janë fiksuar biseda ku këta persona diskutonin për të siguruar doza të lëndëve narkotike, por edhe për lojëra fati, apo aktivitet të tjera të paligjshme.
Prokuroria e Posaçme mësohet se ndodhet në fazën e verifikimeve për drejtuesit e policisë së shtetit që janë konstatuar në lidhje me botën e krimit.
Pak ditë më parë gjatë operacionit Metamorfoza, SPAK dhe Policia e Shtetit arrestuan 6 persona, ndërsa shpallën në kërkim 9 të tjerë. Hetuesit arritën të zbardhin katër ngjarje kriminale në qytetin e Shkodrës, dhe të provojnë implikimin e zyrtarëve të lartë të implikuar.