KOSOVË

Gjykata e Tiranës cakton 40 ditë burgim për ish-luftëtarin e UÇK-së

Gjykata e Tiranës la sot në fuqi masën “arrest me burg” për Dritan Goxhajn, për të cilin synohet ekstradimi në Hagë, në një proces i cili i është kërkuar Shqipërisë që ta mbikëqyrë Gjykata Speciale e Kosovës.

Në dosjen që disponon Top Channel, thuhet se fletë arrestimi nga një gjyqtar i vetëm u lëshua për Goxhajn, për shkak të një postimi datë 1 janar 2023, nëpërmjet të cilit dyshohet se zbuloi informacion të mbrojtur jo publik për dëshmitarët. Shkrimi që përmendet në dosje u publikua në llogarinë e “Facebook” me adresë Dritan Goxhaj dhe më tej artikulli u botua dhe te një agjenci lajmesh kosovare. Informacioni që u zbulua përfshin emra, të dhëna personale dhe vendbanimin e dëshmitarëve të supozuar në proceset e dhomave të specializuar.

Një paralajmërim i Goxhajt se do të zbuloheshin të dhënat personale të dëshmitarëve dhe rrethana se ai mban përgjegjësi penale, përfshihen mes shkaqeve se përse iu kërkua Shqipërisë ta arrestojë. Pasi gjykata e Tiranës la në fuqi masën e arrestit, avokati i Goxhajt këmbëngul refuzimin e ekstradimit.

“T’i dorëzohet Mbretërisë së Vendeve të Ulëta, që nënkupton Holandën, nënkupton Hagën ku është vendosur selia e Dhomave Speciale, për të ushtruar të drejta në bazë të ligjit të Kosovës. Në vitin 2015 është krijuar, ratifikimi i marrëveshjes është në vitin 2013, nuk janë bërë ndryshime që të përfshijë edhe këtë pjesë lëndore, juridiksionale dhe që të jetë vepruese midis dy shteteve tona. Pra, flasim për hapat e mëtejshëm në lidhje me çfarë do të ndodhë me këtë procedurë”, shprehet avokati Bashkim Nikolla.

Shqipërisë i kërkohet gjithashtu të ofrojë ndihmë për transferimin pa vonesë të Goxhajt në Dhomat  e Specializuara të Kosovës dhe të mos ia bëjë të ditur askujt përmbajtjen e fletë arrestimit.

Për shkak të ruajtjes së konfidencialitetit, çështja që po shqyrtohet në Dhomën Penale të Tiranës, mbahet me dyer të mbyllura dhe pa praninë e medias.

“Gjykata ka mbaruar punë, i ka dhënë vendimet. Ky ka shkruar në cilësinë e gazetarit. Në atë artikull, është referenca për mëmëdhenë, që kontribuojnë për mëmëdhenë, jo në planin ideologjik, por në planin filozofik, juridik“, thotë avokati.

I arrestuar në Tiranë me qëllim ekstradimi, Goxhaj dyshohet për veprat penale pengim i punës së zyrtarëve dhe frikësim i dëshmitarëve sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Arrestimi i tij ka nxitur reagimin e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ku drejtuesi i saj, Faton Klinaku kundërshton arrestimin e Goxhajt.

Nga ana tjetër, Gjykata Speciale ka bërë të ditur se do të bëhet ekstradimi i tij në Hagë.

“Goxhaj do të mbahet në Shqipëri, në pritje të një vendimi nga autoritetet shqiptare për transferimin e z.Goxhaj në ambientet e paraburgimit të DhSK në Hagë”, u bë e ditur nga Dhomat e Specializuara.

Kujtojmë se Goxhaj është djali i ish-zv.shefit të Shtabit të UÇK dhe kolonelit të njohur nga Shqipëria, Dilaver Goxhaj. Ai iu bashkua vullnetarisht luftës në Kosovë dhe ka qenë shoqërues i trupave amerikane gjatë vitit 1999. /TopChannel

Related posts

Sërpska s’e njeh Kosovën, ambasadori i Bosnjës votoi në KE jashtë procedurave

admin

Kosova jashtë dialogut me Serbinë, nëse kërkohet Asociacion komunash kundër Kushtetuës

admin

Kërkohet llogari për Kosovën, Abazoviq thirret me urgjencë në Parlament

admin

Leave a Comment