AKTUALE

KDI: Kuvendi përmbushi vetëm 13% të agjendës legjislative për këtë vit – deputetët u treguan të kujdesshëm vetëm për të marrë mëditjet

Në anën tjetër, hulumtuesja Violeta Haxholli, prezantoi të dhënat lidhur me funksionin mbikëqyrës të Kuvendit. Sipas saj, në këtë sesion, deputetët parashtruan gjithsej 171 pyetje parlamentare. Megjithatë, numri i pyetjeve nuk ishte i kënaqshëm, duke pasur një mesatare të ulët për secilin deputet ndërsa, 82 deputetë nuk parashtruan asnjë pyetje parlamentare.

Më së shumti pyetje parashtruan deputetët e partisë në pushtet me gjithsej 102 pyetje, pasuar nga partitë opozitare, PDK-ja me gjithsej 45 pyetje, AAK-ja me 13 pyetje, LDK-ja me 10 pyetje dhe Komunitetet me vetëm 1 pyetje.

Kryeministri Kurti pranoi 17 pyetje kryesisht lidhur me zhvillimet në veri dhe dialogun me Serbinë, për të cilat ofroi përgjigje.

Në anën tjetër, disa nga ministrat nuk trajtuan seriozisht pyetjet e deputetëve, veçanërisht Ministri i Punëve të Brendshme dhe Ministrja e Punëve të Jashtme nuk iu përgjigjën pyetjeve, ndonëse ato u përsëritën disa here.

Haxholli foli gjithashtu edhe për trajtimin e Reformës në Drejtësi nga Kuvendi, duke vlerësuar pozitivisht konsensusin mes partive politike për shqyrtimin e Vetingut, por duke treguar nevojën për të mirëmbajtur konsensusin dhe zgjeruar përkrahjen për këtë proces edhe tek partitë e komuniteteve jo shumicë, pasi që për miratimin e amendamenteve kushtetuese për Vetingun nevojiten edhe 2/3 e tyre.

“Sa u përket zhvillimeve në Komisionet Parlamentare ato mbajtën gjithsej 221 mbledhje, 10 dëgjime publike dhe 5 vizita në terren. Më së shumti mbledhje mbi 20, mbajtën Komisioni për Ekonomi, Komisioni për Shëndetësi, Komisioni për Buxhet dhe Komisioni për Legjislacion. Komisionet trajtuan rreth 35 projektligje. Ndërsa në aspektin e mbikëqyrjes ministrat e Qeverisë paraqitën projektligje dhe raportuan 35 herë para komisioneve, ndërsa përfaqësuesit e tjerë të lartë institucionalë 42 herë. Vetëm tre komisione zhvilluan vizita në terren tek institucionet përkatëse gjatë kësaj periudhe”, thuhet në njoftim.

Sa i përket mbikëqyrjes së zbatimit të ligjeve, Haxholli theksoi se vetëm dy ligje u mbikëqyrën në tërësi nga Kuvendi, një shifër që nuk është e mjaftueshme.

Ajo gjithashtu shprehu shqetësimin e saj lidhur me mungesën e transparencës së Kuvendit ndaj publikut, përfshirë mungesën e votimit elektronik, mos publikimin e votave me dorë, dhe mos publikimin e rregulltë të procesverbaleve të mbledhjeve të komisioneve parlamentare dhe atyre Ad-Hoc.

Në fund, KDI ofroi disa rekomandime për Kuvendin dhe deputetët, duke theksuar nevojën për planifikim të mirëfilltë të seancave, pjesëmarrje të rregulltë të deputetëve në punimet e Kuvendit, zgjerim të konsensusit dhe gjithëpërfshirjes për Reformën në Drejtësi, rritje të mbikëqyrjes ndaj ekzekutivit, adresimin e gjuhës jo parlamentare dhe garantimin e transparencës së Kuvendit ndaj publikut. /Telegrafi/

Related posts

Arrestohet një person në Tetovë, kërkohej me urdhër qendror

Gjyla Halili

Mexhiti: Nga 18 deputetë të Frontit, 3-4 deputetë me një këmbë janë pjesë e shumicës së re

Gjyla Halili

Gërvalla: Paqja në Evropë sigurohet duke ndalur Rusinë dhe Serbinë

Gjyla Halili

Leave a Comment