BOTA

Ukraina dhe Polonia thërrasin për këshillime ambasadorët pas komenteve ndaj luftës

Të martën, Ukraina dhe Polonia thirrën për këshillime ambasadorët e njëra-tjetrës në vendet respektive, mes thellimit të një mosmarrëveshje pasi një këshilltar i presidentit polak për politikën e jashtme tha se Kievi duhet ta vlerësojë më shumë mbështetjen e Varshavës për luftën kundër agresionit rus.

Këshilltari Marcin Przydacz, tha gjithashtu se qeveria polake duhet të mbrojë interesat e fermerëve të saj, çka nënkupton ndalimin e importit të mallrave ukrainase, një masë që skadon muajin e ardhshëm.

Kievi dhe Varshava kanë treguar një aleancë të fortë që nga fillimi i agresionit rus ndaj Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Por fërkimet mes tyre reflektojnë një çështje të diskutueshme.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Ukrainës, Oleh Nikolenko tha se diplomati polak ishte informuar se deklaratat për pretendimet se Ukraina ishte mosmirënjohëse për ndihmën e Polonisë ishin “të pavërteta dhe të papranueshme”.

“Jemi të bindur se miqësia polako-ukrainase është shumë më e thellë se sa përshtatshmëria politike. Politika nuk duhet të vërë në dyshim mirëkuptimin e ndërsjellë dhe fuqinë e marrëdhënieve mes popujve tanë”, thuhet në deklaratën e Ukrainës.

Polonia thirri gjithashtu ambasadorin ukrainas në Varshavë në përgjigje të “komenteve të përfaqësuesve të autoriteteve ukrainase”, shkroi Ministria e Punëve të Jashtme të Polonisë në rrjetin social X, i njohur më parë si Twitter. Polonia nuk dha detaje se për çfarë komentesh bëhej fjalë.

Media polake citoi të hënën këshilltarin Marcin Przydacz të ketë folur mbi mundësinë e zgjatjes së një mase për ndalimin e importit të prodhimeve bujqësore nga Ukraina.

“Ajo që është më e rëndësishme sot është të mbrosh interesin e fermerit polak”, citohet të ketë thënë zoti Przydacz. “Mendoj se do të ishte e vlefshme që Kievi të fillojë të vlerësojë se çfarë roli ka luajtur Polonia për Ukrainën gjatë muajve dhe viteve të fundit”.

Në muajin maj Bashkimi Evropian lejoi Poloninë, Bullgarinë, Hungarinë, Rumaninë dhe Sllovakinë që të ndalonin shitjet në vend të grurit, misrit dhe disa farërave ukrainase.

Pasi agresioni rus bllokoi portet e Detit të Zi, sasi të mëdha drithi ukrainas, me çmim më të lirë se ai i prodhuar në vendet e bllokut, mbeti i bllokuar në shtetet e Evropës Qendrore për arsye logjistike, duke dëmtuar tregun e brendshëm.

Pesë vendet në fjalë duan që ndalimi i importit të drithërave ukrainase të zgjatet të paktën deri në fund të vitit. Masa e ndalimit skadon më 15 shtator. Kryeministri polak tha më herët se nuk do të heqë kufizimet ndaj masës edhe nëse BE-ja nuk bie dakord për zgjatjen e saj.

Kievi e ka cilësuar vendimin polak si “jomiqësor” dhe u ka kërkuar vendeve partnere të Ukrainës dhe Komisionit Evropian që të sigurojnë eksportin e të gjitha produkteve bujqësore të Ukrainës në BE./VOA


Top Channel

Related posts

SHBA i shton dy kompani evropiane të vëzhgimit në listë të zezë

admin

“Pse një amerikane në KE?”/ ‘Protesta’ evropiane detyron ekonomisten të heqë dorë nga posti i lartë

admin

Video/ Zbuloi se bileta që kishte paguar nuk ekziston, gruaja e tërbuar shkatërron sportelin e aeroportit

admin

Leave a Comment