BOTA

Seks dhe drogë/ Amsterdami përpjekje për të ndryshuar imazhin e vet

Ndalohet pirja e bimëve narkotike! shkruhet në tabelat e reja vendosur në urat e kanalet e lagjes De Wallen me lokalet e prostitutave në Amsterdam. Kush e shkel këtë rregull, rrezikon të paguajë gjobën prej 100 eurosh.

Kjo nuk është tabela e parë që ndalon tymosjen e bimëve të dëmshme narkotike, me të cilën kryeqyteti i Hollandës kërkon të reagojë ndaj rritjes së numrit të turistëve. Dënime të tjera rrezikojnë të marrin ata që pijnë alkool në rrugë dhe që nuk arrijnë të shkojnë deri tek banja publike më e afërt.

Një udhëtim në varkë me Cannabis

Ai donte të kalonte aty pushimet, të pinte pak kanabis dhe të bënte qejf, tregon një i ri nga Newcastle, që ka ardhur këtu si turist. Ai është duke pritur në Oudesijds Voorburgwal, në vendin ku ankorohen varkat Smoke Boats, direkt në anën tjetër të hyrjes së një hoteli luksoz. Në Smokeboat lejohet të pihet kanabis krejt legalisht. Disa herë në ditë varka e mbushur me dhjetëra turistë niset për një lundrim njëorësh nëpër kanalet e Amsterdamit, lundrim ku Sightseeing shoqërohet me pirjen e kanabisit.

Një anglez tjetër, që ka ardhur në Amsterdam për shkak të panairit të kopshteve me lule dhe është duke shijuar sot një ditë të lirë në lagjen me drita të kuqe, mban në dorë një cigare me kanabis, Joint. Ai e di që e ka të ndaluar të pijë Joint, por nuk beson se vërtet ka policë që do vijnë ta gjobisin.

Turistët që duan party të mos vijnë

Këtë ditë vere qyteti i vjetër vizitohet nga shumë turistë. Ai është mbushur thuajse si para periudhës së pandemisë. Amsterdami është objektiv i preferuar për turistët. Shtëpitë dhe kanalet e ndërtuara në periudhën e artë të shekullit të 17-të, janë trashëgimi e UNESCO-s.

Edhe sivjet pritet që numri i fjetjeve në Amsterdam të arrijë 20 milionë. Në vitin 2021 qyteti mori vendim që kjo shifër të mos kapërcehet, por numri i turistëve është vetëm një nga sfidat e shumta. Një problem në rritje janë turistët që bëjnë party, që bëjnë natën zhurmë nëpër rrugicat dhe urat e ngushta të qendrës së qytetit.

Për të luftuar shtimin e turizmit, që prej muajit shkurt të këtij viti janë vendosur rregulla të reja. Shtëpitë publike me vitrina, baret dhe lokalet e lagjes me drita të kuqe duhet të mbyllen dy orë më parë.

Po ashtu parlamenti i qytetit mori vendim që të ndalojë ankorimin e anijeve të lundrimit në qendër të qytetit.

Përveç kësaj, është duke u zhvilluar një fushatë në internet me titull “Stay Away”, që kërkon të frenojë britanikët e etur për festa që të vijnë këtu. Sipas një sondazhi, vizitorët nga Britania konsumojnë kanabis pa masë. Dhe janë ata, që në fund përfundojnë në spital ose në rajonin e policisë, thotë videoklipi i fushatës “Stay Away”.

Ndaloni budallallëqet

Hapat e parë këto, por ato nuk mjaftojnë, mendon Els Iping nga nisma qytetare “Stop de gekte”, shqip “Ndaloni budallallëqet”. Ajo thekson se në qendrën e lagjes historike të qytetit jetojnë ende familje që kanë fëmijë. Els Ipin jeton prej 40 vjetësh këtu dhe shpesh i duhet në mëngjes të pastrojë shkallët e hyrjes, sepse disa turistë nuk e përballojnë dot përzierjen e alkoolit me droga.

Shumë vizitorë vijnë në qendër të qytetit, jo për shkak të bukurive të lagjes së vjetër, thotë Els Iping, “por për shkak të prostitutave në vitrina, kafeneve dhe shitësve të rrugës, vijnë për të pirë dhe për t’u lëshuar nga frenat”.

Amsterdami një ndër qytetet më të frekuentuar për jetë nate dhe shijim të bimëve narkotike e alkoolit nga turistët

Klishetë, sipas të cilave trajtimi liberal i kanabisit dhe prostitutat e vitrinave bëjnë pjesë në jetën e Amstedamit, nuk vlejnë më. “Shtëpitë publike me vitrina ekzistojnë që prej viteve 1960-të, por kur unë erdha të jetoj këtu ato ishin shumë të pakta. Në atë kohë këtu kishte shumë më tepër dyqane dhe tregtarë. Sot, çdo gjë këtu ka të bëjë me seksin, drogën dhe ushqimet e gatuara shpejt e shpejt, Fast Food.”

Armiqësira pas kufizimeve

Për një periudhë kohe anëtarët e nismës qytetare “Stop de Gegkte” patën bërë patrullime nëpër lagje. Të veshur me jelekët paralajmërues, ata u kujtonin turistëve që bënin zhurmë natën se në lagjen e vjetër jetojnë njerëz krejt normalë, që duan të kenë qetësi. Dhe pjesa më e madhe e turistëve reagonin miqësisht duke kërkuar falje.

Por patrullat ka pak kohë që nuk bëhen më. Pronarët e lokaleve që bëjnë biznese me seks, drogë dhe alkool dhe që u detyruan t’i mbyllin aktivitetet dy orë më parë, fajësuan qytetarët e nismës për humbjet e shkaktuara, bënë presion ndaj tyre dhe i shanë. Po të takohesh me Els Iping në mbrëmje në lagjen De Wallen, nuk kalon shumë deri sa një nga të punësuarit e lagjes me drita të kuqe të bërtasë duke sharë.

Turizmi në shoqërinë e konsumit

Geerte Udo është drejtoreshë e firmës së marketingut, Amsterdam & Partners. Ajo thekson se për Amsterdamin nuk është më e nevojshme të bësh marketing, sepse qyteti është bërë shumë i njohur. Por ajo pranon, se rritja vitet e fundit e turizmit masiv është kthyer në problem edhe për Amsterdamin. “Në çdo qytet duhet respektuar edhe kultura lokale, ne e patëm lënë mënjanë këtë gjë dhjetë-pesëmbëdhjetë vitet e fundit.” Por disa vetë mendojnë se në shoqërinë e konsumit, mund të bëjnë çfarë të duan, sepse paguajnë.

Oferta dhe kërkesa

Amsterdami do jo vetëm që t’i ballafaqojë turistët që vijnë për të bërë party me ndalime dhe rregulla, por edhe me ndryshimin e ofertave. Ka vite që është propozuar që për turistët të ndalohet konsumi i kanabisit dhe që prostitucioni të dëbohet nga qendra e qytetit. Kështu, deri në fund të vitit duhet të gjendet një vendndodhje e re për punonjësit e seksit, në një nga lagjet periferike të Amsterdamit. Por ky plan nuk pranohet nga shumë punonjës seksi dhe vendas, që thonë se situata në periferi është më e rrezikshme.

Sa u përket kafeneve që shesin kanabis, Coffee Shops, qytetarët si Els Iping kërkojnë që qyteti të zbatojë ligjet. Sipas tyre, kanabisi duhet shitur vetëm për njerëzit që kanë banesë në Amsterdam, deri tani qyteti ka bërë përjashtime për këtë ligj. Sa i përket pyetjes nëse rregullit të ri, për të mbyllur aktivitetet dy orë më parë, ka sjellë ndryshime, Els Iping thotë se po: “Njerëzit që jetojnë në zemër të lagjes me drita të kuqe, kanë vërejtur se situata është përmirësuar, sidomos natën.”/DW


Top Channel

Related posts

Katër ditë pas vapës në Zvicër bie borë! Temperatura kanë rënë me 30 gradë

admin

Sanksionet e Perëndimit ndaj Rusisë, Kremlini merr nën kontroll firmën franceze të kosit dhe filialin Carlsberg

admin

Pësoi humbje të thellë në zgjedhjet në Greqi, Tspiras jep dorëheqjen nga partia SYRIZA

admin

Leave a Comment