AKTUALE

BE-ja mirëpret vendimin e Konjufcës për të konsultuar në Komisionin e Venecias Ligjin për KPK-në

Bashkimi Evropian ka mirëpritur vendimin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, për të dërguar për mendim në Komisionin e Venecias, Projektligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog thotë se pajtueshmëria me standardet evropiane është e drejtë kryesore në zbatimin e reformave.

“E mirëpres gatishmërinë e Kryeparlamentarit, Glauk Konjufca që të konsultohet me Komisionin e Venecias për ndryshimet e rishikuara në Ligjin për KPK. Pajtueshmëria me standardet evropiane është e drejtë kryesore në zbatimin e reformave” – ka shkruar ambasadori në rrjetin social X.

Szunyog thotë se rekomandimet e Komisionit të Venecias duhet të zbatohen plotësisht në finalizimin e kësaj nisme të rëndësishme ligjore.

Sipas njoftimit të Kuvendit, duke qenë se drafti ka pësuar ndryshime që nga vlerësimi i Komisionit të Venecias, kryetari Konjufca ka kërkuar opinion për projektligjin në tërësi, “duke e konsideruar si vendimtare në arritjen e objektivit për reformim të Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe adresimit të shqetësimeve dhe çështjeve të ngritura më parë”.

Më 12 korrik 2023, Qeveria ka miratuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Më 24 mars 2023, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka shpallur të pavlefshëm Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës pas kërkesës për vlerësim të kushtetutshmërisë, të ushtruar nga deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, vitin e shkuar.

Kushtetuesja ka konstatuar se disa nene të këtij Ligji nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Sipas vendimit të Gjykatës, Ligji bie ndesh me nenet e Kushtetutës për Formën e Qeverisjes dhe Ndarjen e Pushtetit, Kompetencat e Kuvendit, Rolin e Avokatit të Popullit, Barazinë para Ligjit, e Këshillit Prokurorial dhe e nenit për të Drejtën për Mjete Juridike.

Ligji për KPK-në u miratua në lexim të parë në prill të vitit të kaluar, ndërkaq në lexim të dytë në qershor të vitit të kaluar.

Dy partitë opozitare, Partia Demokratike e Lidhja Demokratike e Kosovës në korrik të 2022-tës kanë dërguar për vlerësim të kushtetutshmërisë Ligjin për Këshillin Prokurorial

Related posts

Shënimi i ditës së themelimit të Kryqit të Kuq të Maqedonisë së Veriut

Gjyla Halili

MPB: Nga sot terminet për dokumentet personale mund të caktohen në mënyrë elektronike

Gjyla Halili

“Dispozitë në Kodin Zgjedhor për t’ju mundësuar qytetarëve të realizojnë të drejtën e votës”

Gjyla Halili

Leave a Comment