BOTA

Ministri italian: Përfshirja në Iniciativën kineze Brezi dhe Rruga, vendim “mizor”

Italia e ka marrë një vendim “të improvizuar dhe mizor”, kur i është bashkuar Iniciativës Brezi dhe Rruga katër vjet më parë, pasi ajo ka ndikuar pak në rritje të eksporteve, ka thënë ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto.

Italia e ka nënshkruar marrëveshjen për përfshirje në këtë iniciativë nën qeverisjen e kaluar, dhe kështu është bërë shteti i vetëm i madh i Perëndimit, që ka marrë një hap të tillë.

Crosetto është pjesë e një administrate që është duke e shqyrtuar mundësinë e daljes nga marrëveshja pa pasoja.

Iniciativa Brezi dhe Rruga parasheh krijimin e lidhjeve të Kinës me Azinë, Evropën dhe përtej, përmes investimeve të mëdha të infrastrukturë.

Kritikët e shohin këtë plan të Kinës si mundësi që ajo ta përhapë ndikimin gjeopolitik dhe ekonomik.

Crosetto i ka thënë të dielën gazetës italiane Corriere della Sera se çështja kyçe tani është se si të dilet nga iniciativa, pa i prishur marrëdhëniet me Pekinin.

“Sepse është e vërtetë që Rusia është konkurrente, por është edhe partnere”, ka thënë ai.

Pas një takimi me presidentin amerikan, Joe Biden në Shtëpi të Bardhë, këtë javë, kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka thënë se Qeveria e saj ka kohë deri në dhjetor që të marrë një vendim për iniciativën kineze, si dhe ka bërë të ditur se shumë shpejt do ta vizitojë edhe Pekinin.

Në një intervistë të shtunën për programin italian të lajmeve TG5, Meloni ka thënë se është “paradoks” që ndonëse Italia është pjesë e Iniciativës Brezi dhe Rruga, ajo nuk është anëtarja me lidhjet më të fuqishme me Kinën, në grupin e shtatë shteteve më të industrializuara në botë – G7.

“Kjo tregon se mund të keni marrëdhënie të mira dhe partneritet tregtar”, edhe jashtë Iniciativës Brezi dhe Rruga, ka thënë mes tjerash ajo./ REL


Top Channel

Related posts

Varhelyi: Plani për rritjen ekonomike, inkurajim për të ecur përpara në mënyrë të përshpejtuar

Gjyla Halili

India ndalon eksportin, panik për oriz në supermarketet e SHBA dhe Kanadasë

admin

Turqia paralajmëron Rusinë pas sulmit ndaj anijes në Detin e Zi

admin

Leave a Comment