BOTA

Brazili ia hedh poshtë SHBA-së kërkesën për ekstradimin e spiunit rus

Autoritetet braziliane kanë thënë se ia kanë hedhur poshtë një kërkesë Shteteve të Bashkuara për ekstradimin e Sergei Cherkasov, për të cilin Uashingtoni dyshon se mblodhi të dhëna për luftën në Ukrainë derisa po shtirej si student i diplomuar.

Ministria e Drejtësisë dhe Sigurisë Publike e Brazilit (MDSPB), e cilësoi si “të pabazë” kërkesën e Uashingtonit, pasi Gjykata Supreme e Brazilit e kishte aprovuar tashmë ekstradimin e Cherkasovit në Rusi.

Ekstradimi i tij në Rusi ishte pezulluar pasi Cherkasovi është duke u hetuar për spiunim në Brazil.

Për më tepër, Cherkasovi është duke e kryer një dënim me burg në Brazil, që i ishte shqiptuar për falsifikimin e dokumenteve, sipas MDSPB-së.

Në qershor 2022, autoritetet në Holandë thanë se e kishin parandaluar një spiun rus, i identifikuar si Cherkasov, nga depërtimi në Gjykatën Ndërkombëtare Penale (GJNP), e cila është duke i hetuar krimet e dyshuara të luftës të kryera nga trupat ruse gjatë pushtimit të plotë të Ukrainës nga Moska.

Shërbimi i Sigurisë dhe Inteligjencës së Përgjithshme të Holandës (SHSIPH) kishte thënë në atë kohë se i dyshuari kishte shkuar në Holandë në prill 2022, duke e përdorur një artikull shpjegues të cilin e kishte ndërtuar gjatë 12 vjetëve të kaluara.

Sipas SHSIPH, Cherkasov është agjent i Inteligjencës Ushtarake të Rusisë (IUR), dhe kishte përdorur një identitet të rremë për ta paraqitur veten si një qytetar brazilian 22-vjeçar me emrin Viktor Muller Ferreira.

Cherkasov ishte dëbuar në Brazil menjëherë, ku u arrestua nën akuzat për mashtrim me identitet.

Policia braziliane tha në atë kohë se Cherkasov kishte shkuar në këtë vend fillimisht në vitin 2010, duke u shtirur si brazilian. Ai jetoi pastaj në Irlandë dhe në Shtetet e Bashkuara për disa vite, para se të kthehej në Brazil dhe t’i niste përgatitjet për t’u zhvendosur në Holandë.

Në prill të këtij viti, Shtetet e Bashkuara zyrtarisht i kërkuan Brazilit ta ekstradojë Cherkasovin, duke thënë se shtetasi rus kishte kryer aktivitete spiunimi në Uashington në vitin 2018.

Megjithatë, Rusia ishte e para që e kërkoi ekstradimin e Cherkasovit, duke thënë se ai dyshohej për trafikim ndërkombëtar me drogë.

Grupet hetuese Bellingcat dhe Insider sugjeruan në atë kohë se kjo ishte një taktikë e Rusisë për ta siguruar kthimin e sigurt të Cherkasovit në Moskë.


Top Channel

Related posts

Misioni Artemis 3, NASA mund të vonojë uljen hënore të ekuipazhit

admin

Trazira në Paris pas vrasjes së një adoleshenti nga policia

admin

“Drejtësi për Nahelin”/ Çfarë (nuk) u pa nga marshimi në kujtim të 17-vjeçarit që humbi jetën në Paris

admin

Leave a Comment