Mjafton të vëzhgosh sesi u zhvillua debutimi i tij me fanellën rozë të Inter Miamit për të marrë një vështrim të së ardhmes që do të vijë. Pastaj dy gola dhe dy asiste në fitoren 4-0 ndaj Atlantës. “E kam pasur gjithmonë në mendje ta sillja Messin tek Inter Miami.
Nuk ka njeri më të mirë. Gjithçka lindi gjatë një bisede me partnerët e mi, José dhe Jorge Mas, ndërsa ne po pinim një gotë verë”, – pranon legjenda e Manchester United, teksa kujton se kontaktet e para me mjedisin e Messit ndodhën në vitin 2019, kur takoi Jorge Messin fshehurazi në Barcelonë për t’i thënë se “është ende herët, por do të donim ta kishim Leon në Miami”.
Vetë lojtari anglez shkoi në SHBA në vitin 2007, në moshën 32-vjeçare. Kishte nga ata që i thanë se po rrezikonte, se MLS nuk ishte vendi për të. Gjithsesi, Beckham shkoi te Los Angeles Galaxy. Dhe disi, britaniku mendon se karriera e tij futbollistike e ka ndihmuar Messin të bëjë hapin e fundit dhe të nënshkruajë për klubin e Floridas.
“Ai e pa këtë si një projekt, një trashëgimi dhe nuk mendoj se shumë lojtarë e shohin këtë. Ata shohin mundësinë për të luajtur në vende të ndryshme, por Leo pa që jo vetëm mund të ndryshonte fytyrën e futbollit në këtë vend, ai mund të frymëzojë brezin e ardhshëm dhe nuk ka mënyrë më të mirë për ta bërë këtë sesa në Miami, – nënvizoi Beckham, që kujton si e mori vesh se Messi pranoi ofertën e tij: – Isha në Japoni me familjen time dhe u zgjova në 5 të mëngjesit, sepse telefoni im nuk pushonte së vibruari. Victoria më tha: Na çmendi, fike telefonin! Vura syzet dhe i thashë: Leo po vjen”.
Është e pamundur të parashikohet efekti që mund të ketë zbarkimi i Messit në SHBA, ku hobi tradicionalisht është zhvendosur drejt disiplinave të tilla sportive si bejsbolli apo futbolli amerikan, tradita e të cilëve është përcjellë nga babai te fëmijët për breza. Megjithatë, me Messin, “grushti i shtetit” mund të jetë aq i rëndësishëm sa futbolli të bashkëjetojë me ato sporte të mëdha amerikane.
/BotaSot/