BOTA

Palestina tha se u vra një 14-vjeçar, ministri izraelit viziton Malin e Tempullit

Zyrtarët palestinezë thanë më 27 korrik se ushtria izraelite vrau një palestinez 14-vjeçar në Bregun e pushtuar Perëndimor.

Në po të njëjtën ditë, një ministër i kabinetit izraelit vizitoi një vend të shenjtë të Jeruzalemit që ka shkaktuar shpeshherë dhunë midis Izraelit dhe palestinezëve.

Vizita e Itamar Ben-Gvir në atë kompleks, të njohur si Mali i Tempullit, mund t’i nxisë edhe më shumë luftimet mes Izraeli dhe palestinezëve, që kanë nisur me një intensitet të shtuar që një vit e gjysmë. Agjencia e lajmeve AP shkruan se kjo vizitë mund të ketë ngjallë reagime nga palestinezët që i shohin vizitat e tilla si provokuese.

Ky vend cilësohet i shenjtë edhe nga hebrenjtë, edhe nga myslimanët, dhe pretendimet e të dyja palëve lidhur me atë vend qëndrojnë në zemër të konfliktit izraelito-palestinez.

Në orët e hershme të 27 korrikut, Ministria palestineze e Shëndetësisë tha se 14-vjeçari Fares Sharhabil Abu Samra u vra nga ushtria izraelite në qytetin Qalqilya të Bregut të pushtuar Perëndimor. Ushtria izraelite tha se palestinezët hodhën gurë dhe bomba zjarri ndaj trupave, të cilët u përgjigjën duke qëlluar në ajër.

Vizitës së Ben-Gvir në kompleksin e xhamisë Al-Aksa pritet t’i bashkohen qindra hebrenj për ta shënuar festën hebraike të Tisha B’Av, një ditë zie dhe pendimi për hebrenjtë që reflektojnë mbi shkatërrimin e Tempullit të Parë dhe të Dytë, dy ngjarje kryesore në historinë hebraike.

“Ky është vendi më i rëndësishëm për popullin e Izraelit, ku duhet të kthehemi dhe të tregojmë sundimin tonë”, tha Ben-Gvir në një video të publikuar nga zyra e tij.

Ben-Gvir, një ish-udhëheqës i kolonëve të Bregut Perëndimor dhe aktivist i së djathtës ekstreme, i cili vite më parë u dënua për nxitje dhe mbështetje të një grupi terrorist hebre, tani shërben si ministër i sigurisë kombëtare i Izraelit dhe mbikëqyr forcën policore të vendit.

Kjo është hera e tretë që ai viziton këtë vend të shenjtë që kur u bë ministër në qeverinë e ekstremit të djathtë të kryeministrit Benjamin Netanyahu. Vendi, i njohur për hebrenjtë si Mali i Tempullit, është vendi më i shenjtë në judaizëm, pasi që aty qëndronin tempujt biblikë. Sot, aty qëndron Xhamia Al-Aksa, vendi i tretë më i shenjtë në Islam.

Vizita e tij mund të nxisë tensionet tashmë në rritje midis Izraelit dhe palestinezëve, të cilët janë përfshirë në luftime që kanë shkaktuar dhunën më intensive në gati dy dekada në Bregun Perëndimor./ REL


Top Channel

Related posts

“Njerëzit do marrin çfarë humbën”/ Mitsotakis, plan për të përballuar krizat klimatike

admin

Kreu i Wagnerit i shpall luftë Moskës: Do eliminojmë udhëheqjen ushtarake ruse

admin

Mësuesja e jogës e bashkëshorti paditen nga fqinjët për shembjen e shtëpisë së tyre £1.5mln në Londër (fotot)

admin

Leave a Comment