Një ndërprerje e energjisë në ndërtesën e NASA-s në Huston ndërpreu komunikimin midis kontrollit të misionit dhe Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës (ISS) të martën, duke e detyruar agjencinë hapësinore të mbështetet në sistemet e kontrollit rezervë për herë të parë.
Ndërprerja nënkuptonte se kontrolli i misionit humbi komandën, telemetrinë dhe komunikimin zanor me stacionin në orbitë. Ndërprerja e energjisë u shkaktua për shkak të punimeve në ndërtesën në Qendrën Hapësinore Johnson të Hustonit.
Ekuipazhi u njoftua për problemin përmes sistemeve ruse të komunikimit, brenda 20 minutave nga ndërprerja, shkruan Guardian, përcjell rtv21.tv.
Menaxheri i programit të stacionit hapësinor Joel Montalbano tha se as astronautët dhe as stacioni nuk ishin kurrë në rrezik dhe se sistemet e kontrollit rezervë morën përsipër të rivendosnin komunikimet normale brenda 90 minutave.
“Nuk ishte një problem në bord. Ky ishte thjesht një problem tokësor. Në asnjë moment ekuipazhi apo automjeti nuk ishin në rrezik”, tha ai.
Është hera e parë që NASA-s i është dashur të ndezë këto sisteme rezervë për të marrë kontrollin.
NASA mban një qendër kontrolli rezervë larg Hustonit në rast të një fatkeqësie që kërkon evakuim.
Tensionet midis SHBA-së dhe Rusisë në Tokë nuk i pengojnë agjencitë e tyre hapësinore përkatëse të punojnë së bashku, megjithëse Moska ka thënë se do të tërhiqet nga ISS pas vitit 2024 dhe në vend të saj do të ndërtojë stacionin e saj. Në shkurt, Moska nisi një anije shpëtimi në ISS për të sjellë në shtëpi tre anëtarë të ekuipazhit të bllokuar pasi kapsula e tyre origjinale u godit nga një meteoroid. /21Media