BOTA

20 vjet burg gjinekologut që abuzoi seksualisht me pacientet

Një gjinekolog që abuzoi seksualisht me pacientet e tij për mbi dy dekada në spitale prestigjoze të Nju Jorkut u dënua me 20 vjet burg të martën.

Gjykatësi federal tha se krimet ishin të paprecentë.

Dënimi i 64-vjeçarit Robert Hadden shënon një pikë kthese për qindra ish-paciente që e akuzuan mjekun se i ngacmonte gjatë ekzaminimeve, ndërsa gjinekologu i kishte shpëtuar qelisë gjatë një gjykimi të mëparshëm.

Ndërsa kishte të drejtën për të folur të martën, mjeku Hadden qëndroi me duar të kryqëzuara duke thënë se, “kam shumë për të thënë” por se ai ishte këshilluar nga avokatët që deklarata e tij të ishte e shkurtër.

“Më vjen shumë keq për të gjithë dhimbjen që kam shkaktuar”, tha i pandehuri Hadden duke qarë përpara se të ulej në bangën e të akuzuarit. Më pas hoqi syzet dhe fshiu lotët nga sytë.

Gjykatësi Richard M. Berman tha përmes një deklarate se nuk kishte trajtuar kurrë një rast të tillë, “të tmerrshëm, mizor, përtej abuzimit të shthurur seksual”. Ai vuri në dukje se të paktën 245 gra të trajtuara nga mjeku Hadden thanë se ishin abuzuar.

Gjyqi federal përfshinte një numër më të vogël viktimash. Nëntë viktima dëshmuan në gjyq se si Hadden i ngacmoi ato gjatë trajtimeve gjinekologjike, duke filluar nga fundi i viteve 1980, në spitale të njohura, përfshirë Qendrën Mjekësore Irving të Universitetit Kolumbia dhe Spitalin NewYork-Presbyterian.

Akuzat për sjellje të pahijshme gjatë ekzaminimeve u shfaqën për herë të parë në vitin 2012 dhe në vitin 2014 një gjykatë shtetërore shqyrtoi deponimet e 19 grave, numër i cili filloi të rritej.

Por në vitin 2016, prokurori i qarkut të Manhatanit në atë kohë, Cyrus Vance Jr., e lejoi mjekun Hadden të deklarohej fajtor për dy krime të nivelit të ulët dhe një kundërvajtje, një marrëveshje që i kërkonte të hiqte dorë nga licenca e mjekut, por nuk kërkonte burg dhe e mbante atë jashtë regjistrit të dhunuesve seksualë.

Në vitin 2020, prokurorët federalë në Manhatan siguruan nga juria e madhe ngritjen e një aktakuze kundër zotit Hadden.

Sipas dëshmisë, i pandehuri Hadden përfitoi nga prestigji i spitaleve ku punonte ndërsa i manipulote pacientet e tij në një zyrë private të zbukuruar me foto të fëmijëve të tij dhe bisedonte me to për jetën e tyre personale. Në momentet kur ishte vetëm me pacientet ai kryente akte të ndryshme seksuale me to.

Spitalet ku punonte i pandehuri Hadden kanë rënë dakord të paguajnë më shumë se 236 milionë dollarë ndaj më shumë se 200 ish-pacienteve.

Avokatja e të pandehurit Hadden, Deirdre von Dornum, i kërkoi gjykatësit të martën që ta vlerësojë klientin e saj në përpjekjet e tij për ta reformuar veten dhe përkushtimin e tij ndaj familjes.

Ndihmës prokurorja, Jane Kim, tha të martën se i pandehuri Hadden ende nuk e kishte pranuar përgjegjësinë për krimet e tij. /VOA


Top Channel

Related posts

Situatë apokaliptike! Gjendje e vështirë në disa shtete: Zjarre, stuhi dhe mot i nxehtë

admin

Video/ Zjarri dhe shembja e vinçit New York City lënë gjashtë të plagosur (fotot)

admin

Bashkëshorti 84 vjeçar qëllon për vdekje gruan 69 vjeçare që e la për tjetrin, kthen armën dhe nga vetja (fotot)

admin

Leave a Comment