Operacioni i shpëtimit, të cilin Greqia e ka cilësuar si më të madhin e këtij lloji, vijon pa u ndalur në ishullin e pushtuar nga flakët e Rodosit.
Kompanitë ajrore po dërgojnë në ishull avionë bosh për të kthyer në atdhe turistët e bllokuar, shumica e të cilëve britanikë. Qindra prej tyre janë rikthyer në shtëpi, ku mes lotëve e përqafimeve me të afërmit kanë treguar për tmerrin e përjetuar.
Të paktën 10 mijë shtetas të Mbretërisë së Bashkuar vlerësohet se po kalonin pushimet në Rodos, kur zjarri i dalë jashtë kontrollit detyroi evakuimin e rreth 19 mijë personave.
Vendas e turistë u detyruan të largohen nga banesat dhe hotelet, duke fjetur jashtë teksa flakët u përhapën me shpejtësi drejt bregdetit lindor të ishullit. Qytetarët e përshkruajnë ngjarjen si një katastrofë të përmasave biblike. Urdhëra evakuimi janë lëshuar edhe në Korfuz dhe Evia, ku gjithashtu ka pasur zjarre. Vala e të nxehtit ekstrem që ka përfshirë Europën, ndikoi në shpërthimin e zjarreve të frikshme në Greqi.