Reisul Ulema, H. Hfz. Shaqir Ef. Fetai sot 24.07.2023 në selinë e BFI-së në Shkup priti drejtorin e Institutit të Trashëgimisë së Sharikas në Emiratet e Bashkuara arabe, Dr. Abdulaziz Abdurrahnan El Muslim me bashkëpunëtorët e tij. Në takim u biseduan për shumë çështje që janë në interes të përbashkët, sidomos për bashkëpunim në mes Arkivit të BFI-së dhe Institutit të Arkivit të Sharikas dhe për projekte të ndryshme në sferën e kulturës dhe arsimit. Kryetari i Institutit të Trashëgimisë së Sharikas, Dr. Abdulaziz Abdurrahman El Muslim e informoi Reisul Ulemanë se është miratuar kërkesa e BFI-së për botimin e fjalorit Shqip – Arabisht i përgatitur nga profesor Mahir Hasani, dhe që tashmë është në procedurë të botimit, si dhe botime tjera nga kultura e vendit tonë. Gjithashtu drejtori El Muslim shprehu gatishmëri që në kuadër të bashkëpunimit të arkivit të Sharikas dhe arkivit të BFI-së të ketë edhe trajnime të arkivistëve tanë dhe të organizohen kurse për mësimin e gjuhës arabe. Mysafirët u interesuan edhe për gjetjen e dokumenteve arkivore që vërtetojnë praninë e thirrësve arab në vendet e Ballkanit.
Reisul Ulema, H. Hfz. Shaqir Ef. Fetai i dëshiroi mirëseardhje drejtorit dhe bashkëpunëtorëve të tij dhe e falënderoi për vizitën që i bën institucionit më të lartë fetarë në vend. Falënderoi gjithashtu për bashkëpunimin e mrekullueshëm që kanë me Institutin e Trashëgimisë së Sharikas në shumë sfera të interesit të ndërsjellë, sidomos për botimin e fjalorit shqip-arabisht të përgatitur nga profesori Mahir Hasani.
Drejtori Dr. Abdulaziz Abdurrahman El Muslim tha se është i kënaqur që sot është mysafir i Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoni, sidomos i mikut të tij Reisul Ulemasë, H. Hfz. Shaqir Ef. Fetai.
“Sot kisha nderin të jem mysafir i Kryetarit të Bashkësisë Fetare të Maqedonisë, dhe patëm një pritje të ngrohtë vëllazërore. Gjate këtij takimi biseduam për shumë çështje që ndërlidhen me bashkëpunimin në mes të BFI-së dhe Institut të Trashëgimisë së Sharikas, në sferën e botimit dhe përgatitjen e kuadrove adekuate për punën arkivore në këtë institucion. E falënderojmë Reisin për pritjen dhe do jemi në bashkëpunim të mëtejmë”.
Takimi u mbyll me shpresë që në të ardhmen ky bashkëpunim të jetë edhe më i madh dhe më i begatshëm.