AKTUALE

Osmani: Shteti është në pikë kritike, është koha për të marrë përgjegjësi

E ardhmja e vendit nuk është vetëm përgjegjësi e Qeverisë, por e kujtdo që është dakord që vendi të jetë pjesë e Bashkimit Europian. Vendi është në pikë kritike dhe kushdo që dëshiron të shohë progres duhet të marrë përgjegjësi.

Kështu deklaroi Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, gjatë intervistës së sotme në emisionin “Click Plus” në TV 21.

Për këtë, shtoi Osmani, është e nevojshme të krijohet një front europian që do të marrë rolin udhëheqës në atë rrugë dhe do të jetë më shumë se udhëheqje e politikës ditore.

“Tani është koha kur duhet të mbajmë përgjegjësi për këtë popull, përgjegjësi për këtë vend, sepse në fund të fundit politika është mbi të gjitha shërbim, është një lloj përgjegjësie ndaj njerëzve që ju kanë dhënë besimin. Tani është koha e Frontit për Europën. Ta mbajmë këtë kurs, të arrijmë këtu dhe pasi ta kalojmë këtë pikë, e cila është e papërsëritshme, atëherë le të organizohet skena politike si të dojë, kjo është më pak e rëndësishme për momentin”, tha Osmani në intervistë për TV 21.

Në këtë drejtim, Osmani thotë se do të ishte shumë më e drejtë që opozita të shprehë qartë qëndrimet e saj nëse është pro apo kundër BE-së dhe çfarë alternativë tjetër ofrojnë.

“Çfarë ofron opozita? A është Asociacioni Euroaziatik, për shembull? Kjo është mënyra e vetme për të qenë të drejtë me votuesit. Por, nëse pretendoni se dëshironi të ardhmen europiane të vendit, rruga drejt Europës është kjo. Nuk është e këtillë vetëm për ne, kështu ka qenë për secilin shtet”, thotë Osmani.

Duke komentuar deklaratat e liderit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski dhe qëndrimin e partisë se nuk do të mbështesë ndryshimet kushtetuese, Osmani thotë:

“Është thjesht populizëm. Mosndryshimi i Kushtetutës favorizon kauzën e radikalëve bullgarë në dy mënyra. Së pari, çdo ditë e më shumë po vonohemi në BE, maqedonasit marrin pasaportë bullgare, për të marrë pasaportë bullgare duhet të deklaroni në Sofje se jeni bullgar me origjinë. Nuk ka bullgarizim më të madh se nxjerrja e pasaportës, numri arrin në 100 mijë, si pasojë e vonesës së integrimeve. Dhe së dyti, integrimi i bullgarëve në Kushtetutë është zyrtarizim i faktit se bëhet fjalë për dy popuj të ndryshëm. Për herë të parë në Kushtetutë do ta kemi popullin maqedonas si shumicë dhe një pjesë të popullit bullgar si pakicë”.

Related posts

Çitaku: Kurtit i pengon UÇK-ja dhe liderët e saj, prandaj po ndërhyn brutalisht në zgjedhjet e RMV-së

Gjyla Halili

Gjykata e Apelit në Shtip me vetëm katër gjykatës

Gjyla Halili

Fakulteti Ekonomik i UT-së bashkorganizator i Olimpiadës së Dytë të Ekonomiksit

Gjyla Halili

Leave a Comment