Të paktën nëntë persona kanë ndërruar jetë dhe rreth 30 janë plagosur nga shembja e një ndërtese, thanë të dielën autoritetet kamerune.
Një ndërtesë katërkatëshe u shemb në një godinë më të vogël të dielën herët në mëngjes në Douala, qendra ekonomike e vendit dhe qyteti më i madh, 130 milje (210 km) në perëndim të kryeqytetit, Yaounde.
“Shifrat e viktimave mund të jenë më të larta. Punëtorët e shpëtimit, të ndihmuar nga trupat qeveritare të Kamerunit, janë ende duke gërmuar rrënojat për të parë nëse mund të gjenden më shumë trupa”, tha Samuel Dieudonne Ivaha Diboua, guvernator i rajonit Littoral të Kamerunit.
Brigada e zjarrfikësve të ushtrisë është urdhëruar t’i bashkohet Kryqit të Kuq të vendit dhe shërbimeve të tjera të shpëtimit në kërkimin e të mbijetuarve të bllokuar nën rrënoja.
Banorët që jetojnë në lagjen Ndogbon ku ndodhi ngjarja thanë se u tronditën nga ngjarja.
“Ne dëgjuam njerëzit duke bërtitur … dhe u përpoqëm të ndihmonim disa që ishin në rrënojat, por nuk ia dolëm dot me lopatat që kishim”, tha Gaspard Ndoppo, i cili jeton pranë ndërtesave të shembura.
Shembjet e ndërtesave ndodhin shpesh në Douala, ndonjëherë për shkak të fatkeqësive natyrore si rrëshqitjet e dheut dhe raste të tjera për shkak të ndërtimit të dobët, thonë vendasit.
Këshilli i qytetit të Douala aktualisht po shkatërron shtëpitë në zonat me rrezik të lartë ndaj përmbytjeve ose rrëshqitjeve të dheut. Ndërtesa që u shemb të dielën nuk ishte e shënuar për shembje.
Top Channel