Kryeministri Albin Kurti në një intervistë për gazetën kroate “Veçernji List” ka folur për zhvillimet e fundit në vend.
Në këtë intervistë i pari i ekzekutivit nuk ka kursyer kritikat për bashkimin Evropian dhe Shtetet e bashkuara të Amerikës për qasjen e tyre në raport me Kosovën dhe Serbinë.
“Brukseli dhe Uashingtoni kanë vënë bast për kalin e gabuar në Serbi, në presidentin e atjeshëm. Në fund doli që nuk ishte fare kalë, por dhelpër. Askush as nuk e ka imagjinuar që një vit e pesë muaj pas agresionit rus në Ukrainë, Serbia nuk do të vendosë sanksione ndaj Moskës, por madje do të lejonte që Sputniku të mbante bazën rajonale në Beograd. Në vend të reflektimit dhe introspeksionit të tyre, ata më godasin mua”, ka deklaruar Kurti për “Veçernji List”.
Kurti thotë se Brukseli dhe Uashingtoni bënë padrejtësi ndaj tij duke i vendosur masa ndëshkuese, derisa në të njëjtën kohë sipas tij falën presidentin e Serbisë.
“Brukseli dhe Uashingtoni e lejuan Vuçiqin që të mos e nënshkruante marrëveshjen nga Brukseli dhe Ohri, pastaj që ta shkelte atë marrëveshje dhe ja ku jemi në një situatë në të cilën ekziston asimetri drastike në qasje. Masa ndëshkuese ndaj meje, dhe nga ana tjetër falje për presidentin Vuçiq. Kjo është një padrejtësi”.
Ai shpreson se masat ndëshkuese nga BE-ja do të jenë afatshkurtëra.
“Por thonë se këto masa do të jenë afatshkurtra, të përkohshme dhe të kthyeshme, andaj të shohim. Me faktorët ndërkombëtarë, edhe evropianët edhe amerikanët, kemi komunikim dhe koordinim të rregullt, por kemi edhe dallime të vogla, herë përsa u përket taktikave, e ndonjëherë, eventualisht, strategjive. Por përsa iu përket vlerave, interesave dhe qëllimeve nuk kemi asnjë dallim”, ka deklaruar mes tjerash Kurti./Telegrafi/