Në takimin e parë të Grupit Koordinues për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës, kryeministri Albin Kurti tha se shteti ka plotësuar kërkesat ligjore dhe standardet demokratike për tu bërë anëtar në Këshillin e Evropës.
Gjatë këtij takimi, shefi i ekzekutivit theksoi se shteti i Kosovës i cili është i ndërtuar mbi vlerat e KiE-së e ka vendin në këtë organizatë ndërkombëtare.
“Republika e Kosovës e ndërtuar mbi vlerat e Këshillit të Evropës dhe me Kushtetutë e cila përfshinë instrumentet më të rëndësishme për mbrojtjen e të drejtave të njeriut si dhe të drejtave të komuniteteve pakicë natyrshëm e vendin në këtë organizatë.
Anëtarësimi në KiE mundëson qasjen në Gjykatën Evropian për të Drejtat e Njeriut dhe mekanizmat tjerë të KiE. Kjo forcon edhe më shumë mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve tonë pa dallim etnie”, tha ai.
Kurti tha se qeverisja e mirë dhe progresi demokratik i kanë hapur rrugë procesit të anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës.
Sipas tij, tani kur procesi i anëtarësimit ka kaluar në Asamblenë Parlamentare fillon etapa substanciale që shoqërohet me vizita fakte-mbledhëse për çka kërkoi koordinim të mirë të grupit punues.
“Qeverisja e mirë dhe progresi demokratik vlerësuar nga raporte ndërkombëtare sidomos në sundimin e ligjit i ka hap rrugë procesit të anëtarësimit tonë në këtë organizatë. Pra, Republika e Kosovës ka plotësuar edhe kërkesat ligjore edhe standardet demokratike për tu bërë anëtare e KiE.
Qeveria e Kosovës do të bashkëpunojë ngushtë me Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës përgjatë tërë procesit të vlerësimit dhe kam besim që ky grup punues ndër institucional do të punoj me përkushtim në funksion të mbarëvajtjes së vizitave fakt-mbledhëse si dhe në adresimin e të gjeturave dhe rekomandimeve nga rekomanduesit”, theksoi Kurti.
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, deklaroi se tashmë që Kosova ka kaluar fazën e parë të procesit të anëtarësimit në Këshillin e Evropës, ecuria e këtij procesi tutje varet nga bashkërendimi i këtij grupi koordinues.