Keqpërdorimi i bllok dotacioneve të lëshuara nga Ministria e Arsimit për shkollat e mesme, respektivisht për gjimnazin e Tetovës ka përfunduar me pasoja për kreun e Tetovës.
Bazuar në raportin e Inspektoratit shtetëror të arsimit nga inspektimi i realizuar në Maj 2023 në SHMK Kiril Pejçinoviç, në bazë të nenit 108-b të Ligjit për arsim të mesëm e me vendim të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri, kreut të Tetovës, Bilall Kasami i meren të gjitha ingerencat mbi SHMK Kiril Pejçinoviç në afat prej 12 muajve.
Sipas raportit, kryetari i komunës Tetovë Bilall Kasami ka thyer nenin 101 të Ligjit për arsim të mesëm, gjegjësisht nuk ia ka ndarë mjetet e dedikuara të bllok dotacioneve SHMK Kiril Pejçinoviç.
Në bazë të procesverbalit nga Inspektorati, Shkolla ka dorëzuar propozim-plan financiar për 2023 deri te Komuna Tetovë, por deri në ditën e inspektimit ai plan nuk është miratuar nga Këshilli i Komunës së Tetovës. Me këtë SHMK Kiril Pejçinoviç nuk ka pasur mundësi ti paguaj faturat e harxhimeve vijuese dhe si rezultat i kësaj borxhi i shkollës arrin në 6,625,349 denarë.
Ndryshe, kundër Kasamit javë më parë edhe drejtoresha e Gjimnazit, Teuta Llalla ka deponuar në gjykatë padi.