Më shumë se 700 persona janë dënuar me burgim pas trazirave që ka përjetuar Franca në fund të muajit të kaluar, ka thënë ministri i Drejtësisë në Francë, Eric Dupond-Moretti.
Sipas tij, në total janë shqiptuar 1.278 dënime, dhe 96 për qind e tyre kanë pasur të bëjnë me akuza për vandalizëm dhe sulm ndaj zyrtarëve policorë.
Deri më tani është thënë se janë burgosur 600 persona.
“Ka qenë jashtëzakonisht e rëndësishme që ta kemi një përgjigje të qëndrueshme dhe sistematike”, ka thënë Dupond-Moretti për radion RTL.
“Ka qenë thelbësore që ta rikthejmë rendin kombëtar”.
Dhuna më e ashpër urbane në Francë, prej vitit 2005, ka nisur këtë vit më 27 qershor, pas një zyrtar policor e ka qëlluar për vdekje një 17-vjeçar me prejardhje afrikane, gjatë një kontrolli në trafik.
Incidenti ka ndodhur në perëndim të Parisit dhe është incizuar nga një këmbësor i rastit.
Trazirat janë ndalur pas katër netëve të dhunës serioze dhe angazhimit të mbi 45.000 forcave të sigurisë, përfshirë njësitet speciale.
Mosha mesatare e mbi 3.700 personave të arrestuar ka qenë 17, prandaj të miturit janë paraqitur në gjykata të ndara për fëmijë.
Numri i personave të dënuar nëpër burgje e tejkalon shifrën e vitit 2005, kur janë burgosur rreth 400 persona. /REL
Top Channel