BOTA

Tony Blair tenton ‘rehabilitim’ me laburistët teksa i rikthehet fushatave politike në Britani (fotot)

Mediat britanike pasqyronin me habi dhe kureshtje një rikthim të çuditshëm të Tony Blair në politiken e laburistëve në opozitë, teksa u shfaq së fundmi në një skenë me kreun e tyre Keir Starmer

Duke folur në skenë bashkë me kreun aktual laburist Keir Starmer në hotelin luksoz Park Plaza Westminster në Londër, Blair e Starmer përgëzuan njëri-tjetrin për “punët e mira që kishin bërë”.

Lëvizja e pakuptueshme ka shkaktuar kritika mes Starmer dhe anëtarëve të partisë së tij që është në opozitë prej më shumë se një dekade, por Starmer nuk merakosej për kritikët.

“Ne së bashku si parti duhet të marrim vendime të vështira,” Starmer i tha Blair, teksa ky i dyti po e intervistonte për llogari të rrjetit të tij të analistëve politikë ‘Institute for Global Change’.

Starmer hasi probleme me anëtarët e partisë së tij kur tha në fundjavë se laburistët do të ruajnë tavanin e asistencës sociale për familjet me më shumë se dy fëmijë.

Duke mbrojtur idenë e tij, Starmer i tha Blair se ish-kryeministrja famëkeqe konservatore Liz Truss kishte “kishte provuar tezën se nëse merr vendime të pabaza, atëherë përsëri populli e paguan”.

“Nuk do të lejoj që qeveria e ardhshme laburiste të bëhet një ekuivalente te qeverisë së Liz Truss,” tha ai.

Blair mbetet një figurë përçarëse në ish-partinë e tij, edhe pse ka fituar tre mandate ndaj konservatorëve, por më pas e çoi Britaninë në luftën e përgjakshme të Irakut në 2002 bazuar në pretendimet e pabaza të armëve të shkatërrimit në masë, si dhe ishte ai që futi idenë e sektorit privat që menaxhon shërbimet publike, çka rezultoi një tjetër zhgënjim madhor në Britani.

Blair ka qenë kritik i kreut pararendës së Starmer, Jeremy Corbyn, dhe ka qenë gjithmonë kundërshtar i Brexit.

Por tashmë gjithçka duket se është harruar teksa dje ai lavdëronte punën “e mahnitshme” të Starmer.

“Ke bërë një punë të mrekullueshme,” thoshte i buzëqeshur Blair. “I more laburistët në 2019, kur ishin në prag zhdukjeje … dhe po i sjell në prag qeverisjeje”, komplimentonte ai.