Dita e djeshme ka qenë një ditë intensive politike për opozitën shqiptare, të zgjeruar tani edhe me lëvizjen e promovuar nga Izet Mexhiti. Përveç vendimit për themelimin e kësaj lëvizje, dje është realizuar edhe një takim i përbashkët mes kryetarit të Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, udhëheqësit të lëvizjes së re, Izet Mexhiti dhe kryetarit të Alternativës, Afrim Gashi, shkruan Zhurnal.
Fillimisht për takimin kanë informuar sipërfaqësisht nga Alternativa, duke pretenduar se pikërisht ky takim ka shkaktuar frikë tek pushteti dhe ka qenë shkaku për nxitjen e revoltës në strukturat e saj.
“Sidoqoftë, në kuptimin politik, konferenca e sotme është e lidhur drejtpërdrejt me takimin që mbrëmë kryetari i Alternativës, Afrim Gashi, e ka pasur me kryetarin e Besës, Bilall Kasami, dhe drejtuesin e lëvizjes së re të dalë nga BDI-ja, Izet Mexhiti. Fakti se opozita po bashkohet dhe se kjo e rrezikon BDI-në në zgjedhjet e ardhshme, e detyron partinë SORAVIA që të marrë masa, duke i përdorur të gjithë mjetet e veglat për ta sabotuar këtë ngjeshje opozitare. Një lojë e vjetër kjo e kësaj partie me matricë enveriste”, thuhet në reagimin e Alternativës pas konferencës së një pjesë të strukturës së saj, në të cilën u kërkua shkarkimi i Sekretarit të përgjithshëm dhe nënkryetarit të partisë.
Siç mer vesh Zhurnal, në takimin e djeshëm Kasami, Mexhiti dhe Gashi ia kanë shtrirë dorën njëri tjetrit dhe janë marrë vesh për formim të një blloku të përbashkët opozitar që do të marë pjesë në zgjedhjet e ardhshme. Deri atëherë këto subjekte janë marë vesh të bashkërendisin aktivitetet në teren dhe në institucione, si dhe do të ndërtojnë strategji të përbashkët për mbrojtje nga goditjet që pritet t’i pranojnë në vijim nga pushteti.
“Njësoj sikurse u sulmua Alternativa presim që të tentohen sulme edhe ndaj Lëvizjes Besa dhe lëvizjes së Izet Mexhitit, por do të jenë të kota, sepse qytetarët veçmë po e vërejnë angazhimin ton për të sjellë ndryshime pozitive në skenën politike”, kanë thënë për Zhurnal burime të afërta me pjesëmarrësit në takimin e djeshëm Kasami-Mexhiti-Gashi.