BOTA

Zelensky kërkon vazhdimin e marrëveshjes së drithërave pa pjesëmarrjen ruse

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky ka bërë thirrje për vazhdimin e zbatimit të marrëveshjes së eksportit të grurit të Detit të Zi pas vendimit të Rusisë për ta pezulluar atë.

Ai tha se ka rënë dakord me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres për të punuar me “shtetet përgjegjëse për të rivendosur sigurinë ushqimore dhe furnizimin me ushqime” përmes rrugëve të Detit të Zi.

Në video-mesazhin e tij të mbrëmjes, Zelensky theksoi se marrëveshja e drithërave e Detit të Zi, nga e cila Rusia u tërhoq të hënën, ka potencialin të funksionojë në mënyrë efektive edhe pa përfshirjen e Moskës. Ai tha se vendimi i Rusisë paraqet një mundësi për komunitetin ndërkombëtar që të tregojë se “shantazhi” nuk mund të përcaktojë se kush ka ushqim të mjaftueshëm.

Më herët, përmes një zëdhënësi, u tha se Ukraina është e gatshme të vazhdojë eksportet e saj të grurit, edhe pa pjesëmarrjen ruse. Sipas tyre, Ukraina ka marrë qasje nga kompanitë pronare të anijeve që shprehin gatishmërinë e tyre për të marrë pjesë në proces.

Ministri i Punëve të Jashtme i Ukrainës, Dmytro Kuleba, kritikoi vendimin e Rusisë pas takimeve në Nju Jork me diplomatë amerikanë dhe evropianë, duke thënë se marrëveshja ka qenë “jetike” për të parandaluar rritjen e çmimeve globale të ushqimeve.

“Ukraina dhe [SHBA] nuk do të kursejnë asnjë përpjekje për të siguruar eksportin e drithërave ukrainase në Afrikë, Azi dhe më gjerë”, tha Kuleba në Twitter.

Zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, kritikoi gjithashtu Moskën për tërheqjen nga marrëveshja dhe tha se vendimi do të “dëmtonte miliona njerëz në mbarë botën”.

Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me vendet e tjera për të siguruar lëvizjen e grurit nga Ukraina, por nuk po konsiderojnë përdorimin e aseteve ushtarake të SHBA-së për të ndihmuar në mbrojtjen e dërgesave të grurit, tha Kirby.

Ai tha gjithashtu se përdorimi i anijeve turke për të lehtësuar lëvizjen e grurit ukrainas nuk ishte një zgjidhje e mundshme.

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, tha se po zhvillohen diskutime me zyrtarët rusë dhe shprehu optimizëm për zgjatjen e marrëveshjes.

Nga ana tjetër, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Guterres përcolli zhgënjimin e tij për tërheqjen e Rusisë, duke theksuar se marrëveshja kishte shërbyer si një mbështetje jetike për sigurinë globale të ushqimit dhe një simbol i “shpresës në një botë të trazuar”.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken iu bashkua diplomatëve të tjerë perëndimorë në kritikimin e vendimit të Rusisë, duke e quajtur atë “të pandërgjegjshëm”.

Blinken tha se Rusia po “përdor ushqimin si armë”.


Top Channel

Related posts

Aktivistët në festë! Gratë në Spanjë mund të shkojnë në pishina publike “topless”

admin

I burgosur, sipërmarrës, mercenar! Ulje-ngritjet e Prigozhinit në Rusi

admin

Biden: Rusia është krejtësisht e papërgjegjshme për lëvizjen e armëve

admin

Leave a Comment