KOSOVË

Kosova nuk mund t’i përdorë Bayraktarët pa autorizimin e KFOR-it

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, thotë se pret nga institucionet e Kosovës që të koordinohen në lidhje me përdorimin e të gjitha kategorive të dronëve, përfshirë edhe ata Bayraktar TB-2.

Në një deklaratë me shkrim dërguar Radios Evropa e Lirë, KFOR-i kujton se komandanti i këtij misioni e ka autoritetin parësor mbi hapësirën ajrore të Kosovës, që nga përfundimi i luftës më 1999.

Një ditë më herët, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi se vendi ka blerë dronë Bayraktar TB-2 nga Turqia.

Me blerjen e tyre, Kosova “është edhe më e sigurt”, tha ai dhe shtoi se oficerët e Forcës së Sigurisë së Kosovës janë trajnuar tashmë për përdorimin e dronëve.

Se sa dronë janë blerë, nuk është e qartë.

Por, kujton KFOR-i, hapësira e poshtme ajrore e Kosovës “mund të përdoret për nevoja specifike” dhe me “autorizim të mëparshëm nga komandanti i KFOR-it”.

Hapësira e poshtme ajrore nënkupton lartësinë deri në 6.250 metra.

Dronët Bayraktar TB-2 fluturojnë kryesisht në lartësi deri në 5.000 metra.

Forca e Sigurisë e Kosovës është në proces të shndërrimit në ushtri.

Është e paraparë që deri në vitin 2028, ajo t’i arrijë të gjitha kapacitetet operacionale për, siç thuhet, “ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, si dhe të qytetarëve, pronave dhe interesave të vendit”.

Megjithatë, ajo nuk do t’i zëvendësojë forcat e KFOR-it që vazhdojnë të kenë rreth 4.000 trupa në Kosovë./REL

Banner

Related posts

Hajredin Kuçi del para Gjykatës Speciale

Gjyla Halili

Në Kroaci strehohen 19 të plagosur ukrainas

admin

Greqia mund ta regjistrojë fundjavën më të nxehtë në 50 vjetët e fundit

admin

Leave a Comment