BOTA

Kina, Rusia stërvitje të përbashkëta detare dhe ajrore në Detin e Japonisë

Një flotë e marinës ushtarake kineze u nis të dielën për t’iu bashkuar forcave detare dhe ajrore të Rusisë në Detin e Japonisë në një stërvitje që synon “ruajtjen e sigurisë së linjave strategjike detare”, njoftoi ministria kineze e mbrojtjes.

Manovrat, e emërtuara “Northern/Interaction-2023”, janë një tregues i rritjes së bashkëpunimit ushtarak mes Kinës dhe Rusisë, që nga fillimi i sulmit të Rusisë në Ukranë. Ato po zhvillohen ndërsa Pekini vazhdon të refuzojë thirrjet e Shteteve të Bashkuara për rivendosjen e komunikimit ushtarak.

Flota kineze, e përbërë nga pesë luftanije dhe katër helikopterë, u nis nga porti lindor Qingdao dhe do të takohet me forcat ruse në një “zonë të paracaktuar”, njoftoi ministria kineze të dielën në llogarinë e saj zyrtare në WeChat.

Të shtunën, ministria kineze e mbrojtjes kishte njoftuar se forcat detare dhe ajrore të Rusisë do të merrnin pjesë në një stërvitje në Detin e Japonisë.

Sipas gazetës shtetërore kineze Global Times, e cila citonte ekspertë ushtarakë, kjo do të jetë hera e parë që marrin pjesë në stërvitje njëkohësisht forca ruse të detit dhe të ajrit.

Dy nga anijet ruse që marrin pjesë në stërvitjet në Detin e Japonisë, “Gromkiy” dhe “Sovershenniy”, kishin marrë pjesë më herët këtë muaj në një tjetër stërvitje me marinën ushtarake kineze në Shanghai, të përqëndruar tek lëvizja e formacioneve, komunikimi dhe operacionet e kërkim-shpëtimit.

Përpara se të ankoroheshin në portin e qytetit të rëndësishëm financiar Shanghai, anijet kishin lundruar përgjatë Tajvanit dhe Japonisë, duke i detyruar kështu Taipein dhe Tokion që të monitoronin nga afër lëvizjet e këtyre mjeteve detare ruse.

Disa ditë përpara se Rusia të sulmonte Ukrainën në shkurt 2022, Presidenti rus Vladimir Putin dhe Presidenti kinez Xi Jinping shpallën partneritetin “pa kufij”, që ata thanë se synon t’i kundërvihet influencës së Shteteve të Bashkuara.

Një ndër fushat më të rëndësishme të këtij partneriteti është bashkëpunimi ushtarak.

Kur Ministri i Mbrojtjes i Kinës, Li Shangfu, u takua më herët këtë muaj në Pekin me drejtuesin e marinës ushtarake ruse, Admiralin Nikolai Yevmenov, të dyja palët përsëritën zotimin për të forcuar marrëdhëniet ushtarake.

Shefi i shtabit kinez Liu Zhenli dhe shefi i shtabit të përgjithshëm të Rusisë, Valery Gerasimov përsëritën të njëjtin zotim në muajin qershor. /VOA


Top Channel

Related posts

A mund të përdoren kamerat e vëzhgimit në mjediset e punës si provë në gjykatë?!  

admin

NASA zbulon një krater të ri në Hënë

admin

Zyrtarët izraelitë dhe palestinezë shprehin ‘gatishmëri’ për të punuar për të ndaluar dhunën

admin

Leave a Comment