Nga tri nivelet e rrezikshmërisë që i vlerëson Policia, shërbimi nga veriu i Kosovës kohëve të fundit ishte në nivelin më të lartë të rrezikut.
Pavarësisht kësaj, Imer Zeqiri nga Sindikata e Policisë, thotë se zyrtarët policorë përveç pagesës jashtë orarit të punës, nuk kanë marrë asnjë shtesë tjetër.
“Të gjithë ata zyrtarë policorë që ballafaqohen me situata të tilla në pjesën veriore vlerësohet se janë në nivel të rrezikshmërisë së lartë për shëndetin dhe jetën. E, jo vetëm kjo pjesa tjetër, po as ata nuk kanë marrë shtesë për këta gati 6 muaj, shtesë për rrezikshmëri në punë. E kjo vërtet është jashtëzakonisht e pakuptimtë”, ka thënë Zeqiri.
Ministria e Punëve të Brendshme prej pesë muajsh nuk i ka ekzekutuar shtesat për zyrtarët publikë.
Me Ligjin e Pagave, janë paraparë 10 lloje të shtesave, ndër të tjera, edhe ato për punën pa orar të paracaktuar, për vëllimin e punës, për licencë të avancuar për nëpunësit e arsimit parauniversitar, për nëpunësit e sistemit shëndetësor, pastaj shtesa e performancës për krijuesit dhe performuesit e artit e kulturës dhe shtesa funksionale. Nga shtesat që parashihen me Ligjin e Pagave, nga Sindikata e Shërbyesve Civilë thonë se po paguhet vetëm shtesa për punë jashtë orarit.
Ali Sefaj, përfaqësues nga sindikata, i sheh të paarsyeshme vonesat nga ana e Ministrisë për administrimin e shtesave.
“Mund të ketë ndonjë rast që kanë marrë shtesa për orët shtesë, mirëpo për shtesat e tregut të punës dhe shtesat e rrezikshmërisë nuk i ka marrë asnjëri nga zyrtarët dhe shërbyesit publikë. Për mua është e habitshme që duhet kaq shumë kohë kur këtë do të mund ta bënte secili ekip profesionale që nuk do të ketë trysni dhe ndikim politik, me një përllogaritje të thjeshtë”, ka deklaruar Sefaj.
Në Ministri të Punëve të Brendshme nuk e treguan arsyen e mosekzekutimit të shtesave e as se kur do të dalin ato. Por, kohë më parë zyrtarë të saj patën njoftuar se Komisioni për Shtesën për kushte specifike (në të cilën hynë; shtesat për të ekspozuarit ndaj rrezikshmërisë në vendin e punës ose kanë kushte specifike të punës që ua rrezikojnë jetën apo shëndetin) është duke i përshtatur të dhënat dhe duke i shqyrtuar ankesat dhe se pas përmirësimeve, diferencën do ta ekzekutojnë në mënyrë retroaktive për të gjithë muajt që nga hyrja në fuqi e ligjit për paga.
Por, në Sindikatën e Policisë thonë se nuk kanë kurrfarë njoftimi se do të nisin t’i marrin shtesat e rrezikshmërisë së shpejti.
“Të vetmin arsyetim që e kanë dhënë është se, është formuar një Komision për rregullimin e kësaj çështjeje, e tani ky është muaji i gjashtë dhe ende nuk kanë dalë me një deklarim apo rezultat final se çfarë po bëhet me shtesat për rrezikshmëri në Policinë e Kosovës”, ka thënë Zeqiri.
E, nga Sindikata e shërbyesve civilë janë pesimistë se shtesat do të dalin në mënyrë retroaktive. Ata shprehen të zhgënjyer edhe me shumën e mjeteve të ndara për shtesa.
“Në këtë format se si janë duke i trajtuar unë kam mëdyshje që do t’u dalin. Veçmas pjesa e mjeteve e cila është e paraparë për këto shtesa është e vogël dhe nuk i mbërrin shtesat që i kanë gëzuar sektorët e caktuar paraprakisht, për arsye se parashihet 1 për qind e buxhetit të organizatës të destinuara për paga”, ka thënë Sefaj.
Ligji i Pagave prej më shumë se tre muajsh është kontestuar në Gjykatën Kushtetuese nga Avokati i Popullit, por deri tash nuk është marrë ndonjë vendim rreth përputhshmërisë së përmbajtjes së tij me aktin më të lartë juridik të shtetit. Për përmbajtjen e këtij Ligji, tek Avokati i Popullit, janë ankuar 104 subjekte të ndryshme të sektorit publik. Ankesat kryesisht kanë të bëjnë me ulje të koeficientit e pabarazi ndërmjet pozitave.