AKTUALE

Në Qeveri thonë se zotimet dhënë BE-së janë përmbushur

Bazuar në orarin e dakorduar, deri këtë të diel Kosova duhej ta zvogëlonte praninë policore për 25 për qind në dhe përreth ndërtesave komunale, Policia bashkë me EULEX-in dhe KFOR-in ta vlerësonin gjendjen e sigurisë dhe Qeveria të dilte me deklaratë publike për mbështetjen e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në veri, pas verës.

Në Qeveri thanë se zotimet janë përmbushur.

“Qeveria e Republikës së Kosovës po respekton zotimet e saj në katër pikat e dakordimit të Bratislavës dhe mbetet e përkushtuar për të kontribuar për de-eskalimin e situatës dhe fokusimit në implementimin e marrëveshjes bazë dhe aneksit të zbatimit”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë.

Njohësi i zhvillimeve politike, Visar Xani, konsideron se përplasja me ndërkombëtarët përpara arritjes së marrëveshjes duhet të shërbejë si mësim.

“Për Kosovën është me rëndësi që të mësojë nga kjo periudhë me qëllim që të mos kemi edhe më tutje keqkuptime dhe moskordinime me SHBA-në dhe BE-në dhe të kemi një progres i cili siguron të ardhme, i cili siguron prodhim efektiv të së mirës për qytetarë e Kosovës dhe të mos vazhdojmë pra të kemi përshkallëzim të situatës, mos të vazhdojmë t’i lejojmë Serbisë që edhe më tutje të përdorë pjesën veriore të Kosovës me tensione me qëllim që të ketë avancim për ta për interesat e tyre në tryezën e bisedimeve”, ka thënë Xani.

Pika e katërt e dakordimit mes Kosovës dhe BE-së parasheh që nga e hëna Brukseli t’i ftojë kryenegociatorët, me synim finalizimin e planit të sekuencimit të Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi, pas së cilës do të fillojë zbatimi i përnjëhershëm i të gjitha neneve të marrëveshjeve.

Në Qeveri thanë se Marrëveshja e Brukselit dhe ajo e Ohrit, duhet të zbatohen sa më parë, në mënyrë të drejtë, të barasvlefshme dhe në plotni.

Edhe Visar Xani thotë se duhet bërë gjithçka, me synimin për ta arritur edhe marrëveshjen finale me Serbinë.

“Mbetet që të organizohet një takim i mirë i nivelit të lartë me qëllim që të kemi dialogim me rezultate, të kemi vazhdim të procesit të dialogimit me qëllim që të arrijmë përmbylljen e dialogimit me Serbinë, të marrim një marrëveshje finale e që i mundëson pastaj ajo marrëveshje Kosovës integrim në struktura euroatlnatike dhe pastaj ato struktura janë edhe garanci për shtetësinë e Kosovës”, ka theksuar Xani.

Në Bruksel nuk treguan se kur do të organizohet takimi mes kryenegociatorëve dhe as nëse i konsiderojnë të përmbushura zotimet e marra nga Kosova për shtensionimin e situatës në veri/koha

Related posts

KSHZ-ja kërkon aktivitet më të madh nga komisionet komunale zgjedhore

Gjyla Halili

Si të freskoheni shpejt – Kreu

admin

NANA STANË BËHET EDHE SIMBOLIKA E NËNË SHQIPËRISË

Gjyla Halili

Leave a Comment