I nxehti përvëlues në shifra rekord parashikohet në mbarë botën, duke filluar nga SHBA-të, ku dhjetëra miliona po luftojnë me temperatura të larta të rrezikshme, deri në Evropë dhe Japoni, çka përbën shembullin më të fundit të kërcënimit në rritje nga ngrohja globale.
Italia përballet me parashikimet më të nxehta për fundjavën, ndërsa Ministria e Shëndetësisë ka lëshuar një alarm të kuq për 16 qytete përfshirë Romën, Bolonjën dhe Firencen. Qendra e metereologjike paralajmëroi italianët që të përgatiteshin për “valën më intensive të të nxehtit të kësaj vere, si dhe një nga më intensivet e të gjitha kohërave“.
Termometri ka të ngjarë të arrijë 40°C në Romë të hënën dhe madje deri në 43 °C të martën, duke thyer rekordin prej 40,5 °C të vendosur në gusht 2007. Ishujt e Siçilisë dhe Sardenjës mund të thahen nga temperaturat përvëluese deri në 48 °C, paralajmëroi Agjencia Evropiane e Hapësirës, duke i konsideruar këto “temperaturat më të nxehta të regjistruara ndonjëherë në Evropë”.
Edhe Akropoli, atraksioni kryesor turistik i Athinës, u mbyll këtë të shtunë për të dytën ditë radhazi gjatë orëve më të nxehta me 41 °C. Krahas Akropolit, Greqia mbylli edhe disa parqe të tjera për të penguar turistët ti vizitojnë ato gjatë temperaturave të larta. Shërbimit kombëtar i motit EMY tha se: “Në pjesë të vendit mund të shihen temperatura maksimale deri në 44 gradë Celsius të shtunën”. Qyteti qendror i Tebës djersiti nën 44.2C. Rajonet e Francës, Gjermanisë, Spanjës dhe Polonisë janë zonat e tjera që po “piqen” në kontinentin evropian nga temperatura të larta të të nxehtit.
Mediet e huaja raportojnë se krahas Amerikës dhe Evropës edhe një pjesë e Japonisë lindore pritet të preket nga i nxehti, me temperaturat që pritet të arrijnë 38 deri në 39 °C të dielën dhe të hënën. Agjencia meteorologjike paralajmëron që temperaturat mund të arrijnë rekordet e mëparshme.
Ndërkohë, qyteti verior i Akita pa më shumë shi në gjysmë dite sesa është tipike për të gjithë muajin korrik, raportoi transmetuesi kombëtar i Japonisë NHK. Reshjet shkaktuan rrëshqitje dheu, duke detyruar 9,000 njerëz të evakuohen nga shtëpitë e tyre. Shirat e rrëmbyeshëm të përshkruar nga agjencia meteorologjike si “shiu më i madh i përjetuar ndonjëherë” kanë goditur gjithashtu Japoninë jugore në javët e fundit, duke lënë të paktën 11 persona të vdekur.
Shirat e pamëshirshëm të musonit raportohet se kanë vrarë të paktën 90 njerëz në Indinë veriore, pas nxehtësisë së madhe.
Lumi Yamuna që kalon nëpër kryeqytetin Nju Delhi ka arritur një rekord prej 208.66 m³, mbi një metër më shumë sesa prurjet që shkaktuan përmbytjet masive të 1978, duke kërcënuar lagjet e ulëta në megaqytetin prej më shumë se 20 milionë banorë.
Përmbytjet e mëdha dhe rrëshqitjet e tokës janë të zakonshme gjatë musoneve të Indisë, por ekspertët kanë thënë se ndryshimi i klimës po rrit shpeshtësinë dhe ashpërsinë e tyre. Amerikanët po shohin se si një valë e fuqishme e të nxehtit po shtrihet nga Kalifornia në Teksas, me kulmin e saj që pritet këtë fundjavë.
Në Arizona, një nga shtetet më të goditura, banorët përballen me një maratonë të përditshme qëndrueshmërie kundër diellit. Kryeqyteti i shtetit Phoenix do të regjistronte ditën e tij të 15-të radhazi mbi 43C të Premten, sipas Shërbimit Kombëtar të Motit.
Hannah Safford, këshilltare për politikat klimatike në Shtëpinë e Bardhë, i tha Al Jazeera se komunitetet me të ardhura të ulëta janë goditur më së shumti nga valët e të nxehtit.
“Njerëzit kanë përjetuar nxehtësi rekord prej javësh tashmë. Nuk është vetëm një rajon gjeografik ku ne po shohim që komunitetet preken në mënyrë disproporcionale, “tha Safford.
“Ne e dimë se të ardhurat më të ulëta, amerikanët më të cenueshëm, të cilët historikisht kanë mbajtur barrën e ndryshimeve klimatike, po përballen gjithashtu me ndikimet e nxehtësisë. Këta janë njerëz që duhet të punojnë jashtë, të cilët nuk kanë domosdoshmërisht ftohje në shtëpitë e tyre, kështu që ne po u kushtojmë vëmendje të veçantë atyre komuniteteve.”
Top Channel