KOSOVË

Kosova blen dronë Bayraktar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka konfirmuar të dielën se Kosova ka blerë dronë Bayraktar TB-2 nga Turqia.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti është parë në afërsi të dronëve, bashkë me ministrin e Mbrojtjes në Kosovë, Armend Mehaj dhe komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Bashkim Jashari.

“Kosova tash është edhe më e sigurt përveçse gjithnjë krenare!” ka thënë Kurti, duke i përgëzuar pjesëtarët e FSK-së që e kanë kryer trajnimin për përdorimin e dronëve.

Kurti nuk ka bërë të ditur sa dronë janë blerë dhe as buxhetin e ndarë për ta.

Bayraktar (Flamurtar) është një dron relativisht i lirë, që për herë të parë ka fluturuar më 2014.

Dronët e tillë, të llojit TB-2, përdoren nga ushtritë e disa shteteve dhe janë dërguar edhe në Ukrainë për të ndihmuar forcat e Kievit që të luftojnë kundër pushtimit rus.

Pavarësisht se çmimi i një Bayraktari TB-2 nuk është bërë publik, më herët gjatë këtij viti ishte organizuar mbledhja e fondeve për të blerë dronë të tillë për Ukrainën dhe organizatorët e mbledhjes së këtyre fondeve kishin sugjeruar se 5 milionë euro janë të mjaftueshme për një dron.

Forca e Sigurisë e Kosovës është në proces të transforimit në Ushtri.

Kuvendi i Kosovës ka miratuar ligjet për këtë transformim në vitin 2018.

Përgjegjësitë e reja të FSK-së, mes tjerash, kanë të bëjnë me ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, si dhe të qytetarëve, pronave dhe interesave të vendit.

Aktualisht, FSK-ja ka rreth 2.500 pjesëtarë. Pas periudhës së tranzicionit, ky numër pritet të rritet mbi 7.500 dhe të përfshijë pjesëtarët aktivë dhe ata rezervistë.

Related posts

Dua të shoh që të dyja palët po angazhohen në mënyrë konstruktive

admin

Dy gra janë dëshmitare? Mediat greke me informacione të reja rreth vrasjes së Orhan Bajramit-Oki

admin

Nuk do të na dëboni nga shtëpitë tona

admin

Leave a Comment