Sipas deputetit socialdemokrat gjerman, Josip Juratoviç, Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiç po bëjnë një lojë të rrezikshme në rajon.
DW: Zoti Juratoviç, ju e keni mbështetur kryeministrin kosovar Albin Kurti. BE-ja dhe Gjermania tani kane vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës për shkak të politikave të Kurtit në veri të vendit. Cili eshte komenti juaj?
Josip Juratoviç: Para së gjithash, duhet thënë se këto nuk janë masa ndëshkuese, por thjesht kushtëzim fondesh. Qëllimi është dërgimi i një sinjali në Kosovë. Sinjale të ngjashme po dërgohen edhe në Serbi. Në situatën aktuale globale, veçanërisht në kontekstin e konfliktit të Ukrainës, ne kemi nevojë për stabilitet në Ballkanin Perëndimor. Ne kemi nevojë për partnerë që japin një kontribut konstruktiv për stabilitetin. Aksionizma, si ajo e Kurtit në veri me dërgimin e kryetarëve të komunave, janë të panevojshme nga ana strategjike. Kurti dhe Vuçiç po luajnë një poker të rrezikshëm që kërcënon të gjithë rajonin.
DW: Ju sapo përmendët dërgimin e kryetarëve të zgjedhur shqiptarë në komunat me shumicë serbe, ku u plagosën rëndë edhe disa ushtarë tëKFOR-it. Por, autorët e dyshuar ishin protestuesit serbë të kontrolluar nga Beogradi. Përse BE dënon Kurtin e jo Serbinë për këtë incident?
Josip Juratoviç: Para së gjithash, më vjen keq që ushtarët tanë, pavarësisht se nga vijnë, edhe dekada pas luftës, duhet të përjetojnë dhunë, për shkak të lojërave që bëjnë disa politikanë të çmendur. Kjo është e trishtueshme dhe e turpshme për të dy popujt. Për ne ka qenë gjithmonë e qartë se jo gjithmonë mund të llogarisje me Vuçiçin. Por u indinjuam kur pamë që Kurti i dërgoi kryetarët e bashkive në zyra pikërisht ditën kur në Serbi zhvilloheshin protestat (29.05.) dhe kur kundërdemonstrata e madhe e Vuçiçit dështoi. Sipas meje, kjo ishte një manovër për të hequr vëmendjen nga Serbia. Ajo i edhi në ndihmë vetëm Vuçiçit. Po krijohet përshtypja se as Vuçiçi dhe as Kurti nuk janë të gatshëm ose nuk janë të aftë të kontribuojnë për vendosjen e paqes. Unë mendoj se arsyeja është se ata janë nën presionin e madh të forcave radikale. Në Serbi forcat radikale janë të lidhura me Kishën Ortodokse, ndërsa radikalët e Kurtit janë në diasporë dhe ëndërrojnë për një Shqipëri të Madhe. Kjo më zemëron më së shumti. Ata janë kosovarë që janë rritur në Gjermani, vetë janë në siguri dhe kultivojnë një nacionalizëm që dëmton vetëm njerëzit që jetojnë në rajon.
DW: Megjithatë, politika e Perëndimit në Kosovë është bërë shpesh shkas për pakënaqësi. Së fundmi edhe fakti që BE vendos të dënojë pikërisht Kosovën, që është vendi më demokratik në rajon. Cili është opinioni juaj?
Josip Juratoviç: Unë e besoj Albin Kurtin kur thotë se dëshiron të ndërtojë demokracinë dhe sundimin e së drejtës në Kosovë. Por ekziston një hendek midis dëshirës dhe realitetit. Sepse demokracia përfshin edhe të drejtat e njeriut, jo vetëm të serbëve, por edhe të ashkalinjve, romëve dhe pakicave të tjera që jetojnë në Kosovë. Shenja më e rëndësishme e një demokracie funksionuese është dialogu dhe kompromisi. Nëse arrihet një kompromis, ai duhet gjithashtu të mbrohet. Dhe Kosova është shumë larg prej kësaj gjendjeje.
DW: Ju i referoheni marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Albin Kurti favorizon t’u japë serbëve në veri të drejta të ngjashme me ato që gëzojnë serbët në Kroaci. Mendoni se modeli kroat është i përshtatshëm për Kosovën?
Josip Juratoviç: Nuk ka as model kroat, as model boshnjak e as model tjetër për Kosovën. Ajo që kemi është një marrëveshje që u arrit në Bruksel. Serbia dhe Kosova tani duhet të ulen në tryezë e të bisedojnë me njëra-tjetrën për këtë me qëllim që të gjejnë një zgjidhje që mund të implementohet nga të dyja palët
DW: As hapi tjetër i Kurtit, si për shembull, klasifikimi i dy organizatave në veri si terroriste nuk u mirëprit nga BE ose Gjermania. Cili është mendimi juaj për këtë?
Josip Juratoviç: Nuk kam dyshim se ka organizata kriminale në veri të Kosovës që do të bëjnë gjithçka që është e mundur për të parandaluar shfaqjen e një shteti demokratik funksionues. Megjithatë, është përgjegjësi e gjyqësorit të vendosë se kush është dënohet dhe kush jo. Politikanët nuk duhet të ndërhyjnë në gjyqësor. Një gjyqësor i pavarur dhe funksionues dhe respekti për shtetin e së drejtës janë themelore për një demokraci.
DW: Çfarë mund të bëjë Gjermania dhe ju si deputet në Bundestag për të ndryshuar kahun e zhvillimeve në terren?
Josip Juratovic: Si deputetë gjermanë të Bundestagut, ne nuk duhet ta vendosim veten në rolin e gjykatësit në Ballkanin Perëndimor dhe të gjykojmë se kush është i miri e kush i keqi. Ne duhet të vizitojmë rajonin dhe të bëjmë dallimin midis demokratëve që duan të ndërtojnë shtetit të së drejtës dhe politikanëve të korruptuar. Ne duhet të përqëndrohemi në ata njerëz në terren që nxisin vlerat demokratike dhe shtetin e së drejtës.
DW: A jeni penduar që e keni mbështetur Kurtin në të kaluarën?
Josip Juratoviç: Jo, nuk jam penduar. E mbështeta sepse kandidoi kundër koalicionit të korruptuar të luftës. Por unë nuk i mbështes tendencat nacionaliste, pavarësisht nga cili grupim etnike që vijnë në Ballkanin Perëndimor.
Josip Juratoviç, lindur më 1959, në Koprivinica, asokohe Jugosllavi, sot Kroaci, është prej vitit 2005 deputet i Partisë Socialdemokrate në parlamentin gjerman, Bundestag. Ai është anëtar i Komisionit Parlamentar për Çështjet e Bashkimit Evropian dhe kryetar i grupit parlamentar “Evropa Juglindore”./ DW
Top Channel