Rriten shqetësimet nëse Rusia do të pranojë të shtyjë një marrëveshje për eksportimin e grurit ukrainas, afati i së cilës përfundon më 17 korrik.
Ndërkohë luftimet kanë vazhduar me intensitet të shtuar në Kherson, rajon në jug të Ukrainës. Komanda e Forcave të Operacioneve Speciale të këtij vendi ka shpërndarë pamje filmike që tregojnë forcat ukrainase duke kryer kontrolle një ishull të pushtuar nga Rusia në lumin Dnipro në rajonin e Khersonit.
Pamje të shpërndara nga Komanda e Forcave të Operacioneve Speciale të Ukrainës duket se tregojnë një sulm të Kievit, mbi pozicionet ruse në lumin Dnipro.
“Si rezultat i operacionit, një anije armike u shkatërrua dhe një u dëmtua dëmtuar”, thuhet në raportin e forcave speciale ukrainase.
“Përveç kësaj, pesë okupatorë janë neutralizuar”, shtohej më tej në raport.
Të shtunën në Kiev zhvillojnë vizitë të papritur Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol. Ai premtoi 150 milionë dollarë ndihmë humanitare vetëm për këtë vit.
“Koreja e Jugut do të vazhdojë të ofrojë furnizime ushtarake që i duhen Ukrainës. Pas furnizimeve ushtarake të vitit të kaluar si jelekët antiplumb dhe helmetat, ne do të mbështesim furnizimet ushtarake në një shkallë të gjerë këtë vit”, tha presidenti koreano-jugor.
Koreja e Jugut, një vend aleat i SHBA-ve dhe eksportues në rritje i armëve, është përballur me trysni për t’i ofruar armë Ukrainës, thirrje që administrata e presidentit Yoon i ka rezistuar në favor të ndihmës humanitare dhe financiare, e kujdesshme ndaj ndikimit të Rusisë mbi Korenë e Veriut.
Ndërsa lufta vazhdon, marrëveshja për eksportin e grurit ukrainas po skadon. Marrëveshja e njohur si “Gruri i Detit të Zi” përfundon më 17 korrik. Në Stamboll mbërriti anija e parafundit këtë të shtunë.
Anija “TK Majestic”, u ankorua pasi kaloi ngushticën e Bosforit në orët e para të së shtunës. Një zyrtare e OKB-së njoftoi se anija fundit “TQ Samsun”, është ende në portin e Odesës në Ukrainë.
OKB-ja dhe Turqia ndërmjetësuan arritjen e marrëveshjes mes Rusisë dhe Ukrainës në korrikun e vitit të kaluar për të ndihmuar në zbutjen e një krize globale ushqimore të përkeqësuar nga agresioni rus dhe bllokada e Moskës ndaj porteve ukrainase.
Top Channel