Shkruan, themeluesi i Agjencisë së Lajmeve Zhurnal.mk dhe “Zhurnal Plus”, Bexhet Musliu
Shkup, 15 korrik – Tentimi për mbylljen e mediave, është sikur tentimi të luash me zjarr. Në një botë demokratike, kështu do të vlerësohej çdo tentim për t’ua byllur gojën mediave! Megjithatë në Maqedoninë e Veriut, ashtu siç po rriten skandalet e njëpasnjëshme në publik, struktura të ndryshme konsiderojnë se fajet ua kanë mediat dhe jo ata që i bëjnë skandalet!.
Në fakt, kohën e fundit ishte iniciuar njëfarë lloj kërkese që t’i merret licenca televizionit të parë nacional privat në gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut, Alsat M. Në momentin e fundit, duke parë se kjo iniciativë është e pavend, siç jozyrtarisht mësohet vetëm për një vote, nuk kishte kaluar dhe të merrej një vendim i tillë në Agjencinë për mbikëqyrjen e mediave.
Kjo nismë tinëzare nuk do merrej vesht nëse nuk kishte shkuar puna kaq larg e për këtë u detyrua të reagojë edhe Shoqata e Gazetarëve. Ata qartë e thanë se nismat anonime dhe të paargumentuara për marrjen e lejes për emitim nga ASHMAA, mund të llogariten si presion për radiodifuzerët.
Më shqetësuese dhe brengosëse është se ky institucion që duhej të merret me kontrollin e mediave dhe mbikëqyrjen e tyre, merr në konsideratë një kallëzim anonim, për një çështje kaq serioz.
Kjo, iniciativë në fakt na tregon se të gjithë ata që frikësohen se të zezat do t’u dalin në shesh, mundohen tinëzarisht dhe nën petkun e anonimit të bëjnë goditje ndaj mediave, duke u dhënë porosi të qartë se “ju duhet ta mbyllni gojën”.
Alsat-M përveç profesionalizmit të dëshmuar, së fundmi është bërë “halë në sy” për pushtetin, sepse skandalet e njëpasnjëshme të funksionarëve, familjarëve të tyre, gjykatësve, prokurorëve, mjekëve e të gjitha shtresave tjera të shoqërisë, po marrin zë dhe nuk po heshtën. Kjo ka bërë që nëpërmjet sulmeve të “ulëta” të tentohen që të çohen mesazhe të forta kundër lirisë së fjalës.
Por, edhe pse dukej se kishte përfunduar regjimi i dikurshëm i Gruevskit, kur bashkë me partitë shqiptare, BDI, PDSH etj, në vend së të mbyllnin në burg funksionarët e tyre që vidhnin e mashtronin, ata mundoheshin me forcë t’ua mbyllnin gojën mediave.
Rast më i rëndë në historinë e meidave është mbyllja e TV A1 dhe zinxhirit të gazetave tjera, të cilat ishin pjesë e këtij grupacioni, me çfarë mediave iu bë medije se nëse dilni kundër pushtetit, fundi juaj do të jetë sikur i këtij TV dhe pronarit të tij, i cili u la në burg bashkë me familjen për vite të tëra.
Një goditje e fuqishme iu dha edhe mediave shqipe, kur u mbyllën gazeta të shumta, siç ishte Fakti, Zhurnal Plus, Koha e Re, e të tjera. Pushteti, dhe struktura të caktuara, shpesherë kanë rrahur edhe gazetarë, i kanë burgosur ata, i kanë kërcënuar me jetë ata dhe familjet e tyre, e në këtë formë shumë prej tyre domosdoshmërisht ose kanë heshtur, ose janë larguar, në pamundësinë për të shtyrë “murin me kokë”.
Një tentativë e tillë për mbylljen e gojës mediave ishin edhe manipulimet, kërcënimet dhe gënjeshtrat e njëpasnjëshme për mbylljen e gazetës “Zhurnal Plus”.
Pushtetarët ia arritën qëllimit të shuanin një investim kaq madhor, sepse donin që ndikimi në tregun mediatik të ishte shumë minimal. Vetëm falë agjencisë “online” së lajmeve “Zhurnal” që serverët i ka në Bashkimin Evropian, nuk arritën ta dështonin edhe këtë zë mediatik, edhe pse sulmet e hakerëve, shigjetat dhe kërcënimet e vazhdueshme ishin të pandalshme.
Ardhja e LSDM-së dhe koalicioni i fundit me BDI-në, u duk se do t’i lintë njëherë e përgjithmonë mediat të lira, por tani kur ka filluar të njëjtëve t’iu ngushtohet rrethi, dhe pushteti i gjatë t’ua nxjerrë të zezat në shesh, duket se fajin ua kanë mediat e gazetarët dhe jo ata që përfshihen në skandale.
Maqedonia e Veriut konsiderohet nga “Freedom House” si vend me “liri të pjesshme” dhe kjo është tregues se ndikimi i pushtetit në media është i madh. Në këtë formë, çdokush që del kundër këtij pushteti, është i kërcënuar e i rrezikuar që të shuhet e të shkojë në histori!
Andaj, është koha e fundit që mediat të lihen të lira e të bëjnë detyrën e vet ashtu siç e do profesionalizmi dhe etika gazetareske. Të luash me mediat, është sikur të luash me zjarr, dhe këtë leksion deri më tani duhet ta mësojë çdo politikan, çdo parti politike dhe çdo qeverisje.
Është detyrë e pushtetit që të punojë ashtu siç duhet, dhe është detyrë e mediave dhe gazetarëve të raportojnë atë që është në interes të publikut. Kështu që, luftën me mediat, s’e ka fituar askush, dhe kështu do të jetë gjithmonë. Triumfues del gjithmonë liria e shprehjes, profesionalizimi dhe interesi i publikut!
Apel “Larg duart nga mediat”