BOTA

Egjipti padit rrjetin Netflix për portretizimin e Kleopatrës si ‘grua me ngjyrë’ (fotot)

Avokati egjiptian Mahmoud al-Semary ka ngritur një padi me prokurorinë publike të vendit të tij për mbylljen e platformës televizive Netflix, pas publikimit të ‘trailer-it’ të filmit dokumentar “Mbretëreshë Kleopatra” ku figura historike prezantohet si një grua me ngjyrë afrikane.

Avokati kërkon veprim serioz ligjor ndaj pergjegjësve të dokumentarit si dhe rrjetit Netflix që kishin marrë pjesë sipas tij në “këtë krim”.

Në ankimimin e depozituar kundër Netflix thuhej: “Shumica e të gjitha programeve të publikuara nga Netflix nuk përputhen me vlerat shoqërore dhe parimet muslimane, aq më pak me ato egjiptiane”.

Ai shtonte se reklama e filmit që është parë nga miliona njerëz nëpër botë, kundërshton historinë egjiptiane.

“Dokumentari promovon afro-centrizmin me qëllim shtrembërim dhe fshirje të historisë si dhe të identitetit egjiptian”, tha avokati, duke iu referuar përpjekjes për t’i dhënë prioritet identitetit afrikan në dëm të kulturave të tjera.

Padia e dorëzuar në organet shtetërore thoshte më tej: “Për të ruajtur identitetin kulturor e kombëtar egjiptian, duhet të tregohet krenari në prodhimin e veprave të tilla. Platforma transmetuese dhe producentët e dokumentarit janë përfshirë në falsifikime”.

Ish-ministri egjiptian i antikiteteve Zahi Hawass përshkruante portretizimin e Kleopatrës si grua me ngjyrë tipike afrikane, si “falsifikim faktesh”.

“Kjo është krejt e rreme pasi Kleopatra ishte me origjinë greke maqedonase, që do të thotë se ishte e bardhë dhe bionde, jo afrikane”, shtonte Hawass.

Mbretëresha Kleopatra ishte sunduesja e fundit e dinastisë Ptolemaike dhe vdiq në vitin 30 e.s. në Aleksandri.

Dokumentari i Netflix tenton të hetojë jetën e sundueses egjiptiane teksa folëse është aktorja  Jada Pinkett Smith, e cila thotë se shpreh dëshirën e saj “për të përfaqësuar gratë me ngjyrë”, ndërsa aktorja që luan Kleopatrën është mulatja Adele James, nga ku erdhën dhe polemikat për identitetin dhe saktësinë historike të programit.

Netflix ka thënë pas kritikave se gjatë sundimit të Kleopatrës “popullata e Egjiptit ishte shumë-kulturore e shumë-racore, prandaj mbreteresha mund të ishte me origjinë si greke ashtu dhe egjiptiane”.