Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, thotë se blerja e Qendrës Tregtare “Soravia” në Shkup nga kompania e Drin Ahmetit, nipit të kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, është e dyshimtë për të.
Në një intervistë për gazetën LAJM, Taravari tha se pasuria e familjarëve të Ahmetit për të cilën po informojnë mediat ditëve të fundit, duhet të hetohet. Ai nënvizoi se për dyshime të tilla, partia e tij që tani është në Qeverinë LSDM-BDI, ka folur para shumë vitesh edhe duke qenë në opozitë.
“Nuk kam asnjë të familjes që ka ndonjë pasuri shumë të madhe. Shumica janë anëtarëve të familjes kanë bizneset e veta, disa janë të punësuar. Kam një djalë axhe që merret me veprimtari mbi 30 vjet ai ka pasuri pak më të madhe, të gjitha të deklaruar por s’ka dikush që ka ndonjë pasuri kështu siç dëgjojmë për familjen e z.Ahmeti”, tha Taravari.
LAJM: Për blerjen e QT Soravia, a ju duket i dyshimtë investimi?
“Absolutisht. Shikoni, një djalosh 25 vjeçar të ketë atë pasuri prej 20 apo 30 milion eurove. Unë nuk e di si është rasti por mendoj se duhet të hetohet. Kur të ketë njëfarë rezultati prej investigimeve, atëherë do të dalim dhe do ta kritikojmë. Por, përsëri e them se ka dyshime. Ne për këto dyshime flasim 9 vite, si parti politike dhe vazhdojmë përsëri të them se është shumë keq që BDI-ja është e metastazuar në shumicën e institucioneve në RMV. Unë gëzohem që ngadalë edhe popullata, por edhe të gjitha institucionet janë duke u zgjuar nga gjumi për ato që ne i flisnim para para shumë vitesh. Por, përsëri e themi dhe vazhdojmë të kemi kundërshtime me BDI-në për çështje të caktuara”, tha Taravari për gazetën LAJM.