BOTA

Minoriteti shiit përballet “me diskriminim sistematik” nga talibanët

Kur talibanët morën pushtetin më 2021, në mesin e minoritetit shiit hazara në Afganistan u rrit frika se ky komunitet i persekutuar historikisht do të bëhej sërish objektivi kryesor i mizorive të talibanëve.

Gjatë sundimit të parë më 1996-2001, talibanët kishin terrorizuar këtë komunitet, duke marrë kontrollin e rajoneve të banuara me hazarë në Afganistan përmes një fushate të vrasjeve.

Pasi rimorën pushtetin, grupi militant sunit u përpoq të ulte frikën e këtij komuniteti se pjesëtarët e tij do të diskriminoheshin e persekutoheshin. Talibanët vizituan xhamitë shiite në kryeqytetin afgan dhe dislokuan luftëtarët e tyre për të ofruar siguri gjatë ceremonive për shënimin e muajit shiit të Muharremit.

Por, anëtarët e komunitetit kanë akuzuar talibanët se nuk kanë mbajtur premtimet e tyre për të mbrojtur shiitët dhe për t’iu dhënë atyre të drejtën që lirshëm të praktikojnë besimin e tyre.

Javën e kaluar, talibanët nuk lejuan shiitët të mbanin një festival të rëndësishëm fetar. Militantët po ashtu kanë kufizuar mësimin e shkollës shiite të drejtësisë në universitetet në Afganistan. Në shkurt, talibanët u raportua se ndaluan martesat mes shiitëve dhe sunitëve në provincën verilindore të Badakshanit.

Komuniteti shiit ka akuzuar talibanët se po dështojnë të ndalojnë sulmet vdekjeprurëse ndaj hazarëve nga grupi rival ekstremist, Shteti Islamik-Khorasan (IS-K). Ndërkaq, grupet për të drejtat e njeriut kanë dokumentuar dëbimet me forcë të hazarëve nga talibanët – që janë grup i përbërë kryesisht nga pashtunët etnikë – në disa provinca.

“Talibanët gjithnjë e më shumë po bëhen më pak tolerantë ndaj shprehjeve publike dhe shfaqjes së besimit fetar shiit”, tha Niamatullah Ibrahimi, ligjërues në Universitetin La Trobe të Australisë. “Nëse kjo bëhet normë, qartazi do të kufizojë lirinë fetare të shiitëve, veçanërisht të ceremonive që shpesh janë publike”.

Një sulmues vetëvrasës i IS-K e hodhi veten në erë brenda një xhamie shiite në provincën veriore të Kunduzit më 8 tetor, duke vrarë më shumë se 70 njerëz.

Luftëtarët talibanë më 7 korrik ndaluan banorët shiitë të Kabulit që publikisht të festonin një festival të rëndësishme fetare. Ky festival shënon ditën që shiitët besojnë që Profeti Muhamed e shpalli Alinë, kushëririn dhe dhëndrin e tij, pasues të tij. Por, ky festival përkon me kohën kur sunitët besojnë se Abu Bekri, kalifi i parë mysliman, ishte pasardhësi i ligjshëm i Profetit Muhamed. Këto besime kontradiktore janë në mesin e shumë dallimeve që kanë dy sektet kryesore të islamit.

“Ata duan të eliminojnë minoritetet”
Në maj, talibanët ndaluan mësimin e shkollës juridike shiite Xhafari në Universitetin Bamijan. Nuk është e qartë nëse kjo ndalesë po aplikohet në universitetet në mbarë Afganistanin. Shumica e banorëve të provincës Bamijan janë shiitë.

Nematullah, një student i studimeve islame në Universitetin e Bamijanit, tha se talibanët i kanë detyruar që të mësojnë shkollën suite Hanefi të drejtësisë, të cilën e ndjek grupi militant.

“Na është thënë se nëse e ngremë zërin, do të na marrin e do të na torturojnë”, tha ky student 20 vjeç për Radion Azadi të Radios Evropa e Lirë. Ai shtoi se ndalesa e talibanëve po detyron shiitët që të heqin dorë nga edukimi ose të largohen nga atdheu i tyre.

Mohammad Hassani, një tjetër student në këtë universitet, akuzoi talibanët se po tentojnë “të eliminojnë minoritetet dhe fetë e tyre përmes forcës”.

Seyyed Mohammad Hossein Rizwani, një studiues në Këshillin shiit Ulema të Afganistanit, i tha REL-it se ndalesa e talibanëve për mësimin e shkollës Xhafari është në kontradiktë “me frymën e vëllazërisë islamike dhe unitetit kombëtar”.

Edhe pse asnjëherë nuk është bërë regjistrimi i popullsisë, shiitët besohet se përbëjnë rreth 15 për qind të 40 milionë banorëve të Afganistanit. Ky shtet është me shumicë suite. Komuniteti hazara besohet se përbën shumicën e minoritetit shiit në këtë shtet.

Gjatë shekullit 19, monarkët afganë tentuan që me forcë të konvertonin hazarët, duke ua marrë tokat dhe duke bërë që rajonet hazare në qendër të shtetit të binin nën kontrollin e Qeverisë qendrore. Gjatë fushatave të vrasjeve u vranë mijëra persona dhe shumë të tjerë u larguan nga shtëpitë e tyre, përfshirë edhe shumë që u larguan në Indinë britanike. Hazarët që u rivendosën në Kabul dhe qytete të tjera u përballën me diskriminim dhe shpesh ishin të papunë apo punonin me paga shumë të ulëta.

Talibanët dështojnë të transformohen nga kryengritës në qeveri funksionale

Përmes një hapi të madh për të adresuar ankesat historike të hazarëve, Kushtetuta e vitit 2004 e Afganistanit lejoi që shiitët të përdornin shkollën islame shiite Xhafari në rastet gjyqësore që përfshinin çështje personale. Komuniteti po ashtu fitoi ndarje të paprecedent të pushtetit gjatë udhëheqjes politike të mbështetur nga Perëndimi, që doli pas pushtimit të udhëhequr nga SHBA-ja më 2001.

Që kur rimorën pushtetin në gusht të vitit 2021, talibanët kryesisht kanë mbajtur strukturën administrative të shtetit. Por, ata kanë shfuqizuar Kushtetutën e vitit 2004 dhe ligjet që garantonin liri dhe të drejta për afganët, kryesisht të drejtat për minoritetet fetare dhe gratë.

Qeveria teokratike e talibanëve përbëhet pothuajse krejtësisht nga anëtarë të lartë talibanë. Në të nuk ka gra dhe vetëm disa anëtarë nuk janë pashtun.

“Ka frikë të madhe në mesin e komunitetit se ky mund të jetë vetëm fillimi i diskriminimit sistematik ndaj shiitëve dhe përfaqësimit të kuptimit të tyre të islamit në ligjet e shtetit, shoqërisë dhe politikës”, tha Ibrahimi nga Universiteti La Trobe.

Militantët talibanë shikojnë një poster me portretin e liderit të tyre Mullah Haibatullah Akhundzada. Kabul, 25 gusht 2021.

Niala Mohammad, drejtoreshë për politikë dhe strategji në Këshillin jofitimprurës islam për Çështje Publike në Uashington, tha se talibanët kanë dështuar të mbrojnë minoritetin shiit nga IS-K, që ka vrarë dhjetëra hazarë në sulmet e kryera nëpër shkolla dhe xhami që kur talibanët morën pushtetin.

“Talibanët vazhdojnë të ngacmojnë dhe shënjestrojnë ata që nuk ndajnë të njëjtën pikëpamje me ta për islamin”, tha Mohammad, që më herët ka punuar në komisionin amerikan për Liritë Fetare Ndërkombëtare. “Veçanërisht hazarët shiitë, të cilët talibanët i shohin si heretikë”.

Ajo tha se kufizimet në rritje të talibanëve ndaj minoritetit shiit “nxisin persekutimin ndaj shitëve nga ekstremistët e tjerë fetarë në mbarë rajonin dhe thellojnë ndarjet sektare”.


Top Channel

Related posts

Ndryshimet në ligjin kinez për spiunazhin krijojnë ankth te gazetarët e huaj

admin

Ramzan Kadyrov, lideri çeçen, i ndan vetes medaljen “Heroi i Çeçenisë”

admin

Nëna tmerrohet kur i biri 8-vjeç bleu një AK-47 në internet dhe i erdhi në shtëpi/ Bashkëpunonte me hakerët

admin

Leave a Comment