BOTA

OKB: 165 milionë njerëz ranë në varfëri në tri vjetët e fundit

Pandemia COVID-19, kriza e kostos së jetesës dhe lufta në Ukrainë kanë shtyrë 165 milionë njerëz në varfëri që nga viti 2020, u tha në një raport të publikuar më 13 korrik nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB).

OKB-ja bëri thirrje që të shqyrtohet mundësia e një pauze në shlyerjen e borxhit për vendet në zhvillim.

Për shkak të këtyre krizave, 75 milionë njerëz mendohet se kanë rënë në varfëri ekstreme gjatë periudhës kohore 2020-2023. Varfëri ekstreme cilësohet kur një person jeton me më pak se 2.15 dollarë në ditë.

Sipas një studimi të publikuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim edhe 90 milionë të tjerë do të bien nën kufirin e varfërisë prej 3.65 dollarë në ditë.

“Më të varfrit vuajnë më shumë dhe të ardhurat e tyre në vitin 2023 parashikohet të mbeten nën nivelet e para pandemisë”, thuhet në raport.

“Në vendet me borxhe të larta, ekziston një korrelacion midis niveleve të larta të borxhit, shpenzimeve të pamjaftueshme sociale dhe një rritjeje alarmante të normave të varfërisë”, tha në një deklaratë shefi i UNDP-së, Achim Steiner.

Sipas një raporti tjetër të OKB-së të publikuar më 12 korrik, rreth 3.3 miliardë njerëz, gati gjysma e njerëzimit, jetojnë në vende ku shpenzohet më shumë për pagesën e interesit për borxhin sesa për arsimin dhe shëndetin.

Dhe vendet në zhvillim, pavarësisht se kanë nivele më të ulëta të borxhit, po paguajnë më shumë interes, pjesërisht për shkak të normave më të larta.

Sipas raportit, kostoja vjetore e nxjerrjes nga varfëria të 165 milionë njerëzve do të ishte mbi 14 miliardë dollarë amerikanë.

Në fillim të kësaj jave, Sekretari i Përgjithshëm Antonio Guterres, i cili ka bërë presion për një reformë të institucioneve financiare ndërkombëtare, denoncoi “sistemin tonë financiar global të vjetërsuar, i cili pasqyron dinamikën e fuqisë koloniale të epokës kur u krijua”./REL


Top Channel

Related posts

Numri i të vdekurve në Turqi shkon në 19 mijë

admin

Varësia ndaj internetit, Kina masa të rrepta ligjore. Ndërpritet interneti gjatë natës për të miturit

admin

Mbi 24 mijë të vdekur nga tërmeti në Turqi e Siri

admin

Leave a Comment