Janë publikuar tashmë edhe incizimet e reja mes Mimoza Kusarit dhe Sllavko Simiqit nga gazetari Berat Buzhala. Në këto incizime të reja, shefja e deputetëve të VV-së heshtet më pak se sa në pjesët paraprake duke provuar ta bindë deputetin e atëhershëm të Listës Serbe për konstruktivitetin e saj derisa fyen kolegët e tij shqiptarë.
Kusari i flet Sllavko Simiqit në veten e parë, dhe i shpreh në këto incizime keqardhjen e saj që duhet të takohen në mënyrë të fshehtë.
“Dëgjo Sllavko, më vjen vërtet keq për gjithçka që po ndodh. Unë, nga të gjithë njerëzit këtu, do të dëshiroja që së pari Kuvendi të funksionojë si duhet. Ti e di që unë nuk kam qenë me Vetëvendosjen kur kanë bërë atë çfarë kanë bërë…” – dëgjohet duke i thënë Kusari politikanit Simiq qysh në nisje të incizimeve të sotme.
Deputetja nga Gjakova më pas provon ta bindë Simiqin se ajo nuk ka dhe nuk ka pasur “agjendë destruktive.”
Më pas, znj. Kusari provon të shfajësohet për disa deklarata që i ka bërë në lidhje me Listën Serbe sa i përket çështjes së veteranëve të luftës. Në atë kohë veteranët po protestonin kundër vendimit të qeverisë për të mos i përfshirë në ligjin për pagë minimale. Kusari flet për veteranët me z. Simiq, përkundër deklaratave në të cilat pretendon se nuk flet për veteranët me z. Simiq.
Mimoza Kusari më pas e akuzon te Sllavko Simiqi ish-kryeministrin Haradinaj dhe “këta të PDK-së” për fryrjen e listave të veteranëve të luftës. Në një moment, derisa po flisnin për TRUST-in pensional, ajo i drejtohet Simiqit me fjalët: “…a e din bre ti kush është Bekim Haxhiu?” në mënyrë pezhorative.
Ajo fjalë të këqija para Simiqit flet edhe për Uran Ismailin, të cilin e quan “idiot patetik” megjithëse e pranon se me të kishte pasur dikur shoqëri.
“Aq ma bën për Uran Ismailin. Ai është… Ka vdekur ai lajm. Ai është idiot patetik, të them. Urani ka qenë shok i imi. Me Uranin kemi qenë në Qeveri, kur unë kam qenë Ministre. Me Uranin kemi pasur shoqëri të mirë. Urani ka qenë një nga djemt urbanë që kanë shkuar në PDK.” – dëgjohet derisa i thotë shefja e grupit parlamentar të VV-së.
Kujtojmë se në incizimet e publikuara dje dhe pardje evidentohej pranimi që Mimoza Kusari e bënte se kishte folur me Millan Radojiçiqin, të dyshuarin për krime të ndryshme në Kosovë./Nacionale