KOSOVË

Kosova pajtohet të zvogëlojë praninë policore në Veri dhe të mbajë zgjedhjet pas verës

Qeveria e Kosovës njoftoi se është pajtuar që të zvogëlojë praninë policore në veri dhe të mbështesë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore, si pjesë e veprimeve për të shtensionuar situatën.

Të gjitha hapat, sipas Qeverisë së Kosovës, do të “finalizohen brenda një periudhe dyjavore”.

Ky pajtim u arrit gjatë një takimi joformal që u mbajt në Bratisllavë midis zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Sipas njoftimit të Qeverisë, prania policore në dhe rreth ndërtesave komunale në veri do të zvogëlohet menjëherë për 25 për qind.

Po ashtu, Kosova dhe BE-ja janë pajtuar edhe për ndërmarrjen e disa hapave të tjerë.

“Qeveria e Kosovës përmes një deklarate publike mbështet mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në veri të vendit dhe atë pas stinës së verës”, tha Qeveria, duke shtuar se institucionet në Prishtinë shprehin përkushtim që të sigurohet baza e nevojshme ligjore për organizimin e këtyre zgjedhjeve.

Po ashtu, Policia e Kosovës, së bashku me misonin e BE-së për Sundim të Ligjit (EULEX) dhe misionin paqeruajtës në NATO-s në Kosovë, KFOR, sipas nevojës do të bëjnë vlerësimin e gjendjes së sigurisë “në veçanti për të shikuar mundësinë për zvogëlimin e mëtejmë të pranisë policore në dhe rreth ndërtesave komunale”, njoftoi ekzekutivi.

“BE-ja do të ftojë dy kryenegociatorët në Bruksel me synim të finalizimit të planit të sekuencimit për Marrëveshjen drejt normalizimit, pas të cilit do të fillojë zbatimi i të gjitha neneve të marrëveshjes”, tha Qeveria e Kosovës.

Edhe BE-ja ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë për pikat me të cilat është pajtuar me Kosovën.

“Këtu përfshihet zvogëlimi i menjëhershëm i pranisë së policisë në dhe përreth ndërtesave të komunave, kryerjen e vlerësimeve të rregullta të përbashkëta të sigurisë me EULEX-in dhe KFOR-in sipas nevojës, shqyrtimi i mundësisë për zvogëlimin e mëtejmë të pranisë dhe që të mos bëhet asnjë lëvizje që mund të përshkallëzojë situatën dhe të inkurajohen zgjedhjet e jashtëzakonshme, sikurse edhe krijimi i bazës ligjore për to”, thanë nga BE-ja.

Sa i përket takimit mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, REL merr vesh se ai do të mbahet javën e ardhshmme.

Bashkimi Evropian kishte paraqitur disa kërkesa për uljen e tensioneve në veri, që nisën në fund të majit, pasi kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut hynë në ndërtesat komunale nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.

Që atëherë, serbët lokalë po protestojnë në veri, duke kërkuar që përveç kryetarëve, të tërhiqen edhe njësitë speciale policore nga veriu./rel

Related posts

Kryeministri Kurti: Masat nga BE-ja të largohen sa më parë, pasi Kosova i mundësoi zgjedhjet

Gjyla Halili

Në zgjedhjet në veri nuk do të marrin pjesë më shumë se 100 serbë

admin

Imami Ahmed kalaja sqaron ndalesën në Maqedoni

admin

Leave a Comment