Edhe Bosnjë – Hercegovina ka pritshmëri nga samiti i NATO-s në Lituani. Sipas analistëve, do të jetë e vështirë të vendosen trupave. Por nga Serbia vijnë paralajmërime.
Në prag të samitit në Vilna, Lituani, çështja e vendosjes së mundshme të forcave të NATO-s në Bosnjë-Hercegovinë u shtrua për shkak të krizës politike të përkeqësuar së fundi. Edhe pse në agjendë janë Ukraina dhe Suedia, e cila mori dritën jeshile edhe nga Turqia për t’u anëtarësuar në Aleancë, pritet që të paktën në margjinat e samitit të diskutohet për Bosnjë-Hercegovinën (B-H). As analistët nuk mund të parashikojnë me siguri se çfarë do të thotë kjo konkretisht për B-H, megjithëse ata pretendojnë se sigurisht që ka elementë për veprim.
“NATO, e cila mori përgjegjësinë për paqen dhe stabilitetin e këtij vendi, duhet të marrë përgjegjësi edhe kur është fjala për stabilizimin. Në kuptimin politik, ju mund të bëni çfarë të doni. Megjithatë, kur e kthen atë në sjellje me pasoja ligjore, atëherë gjërat ndërlikohen”, thotë analisti ushtarak Nexhad Ahatoviç, i cili pret që bashkësia ndërkombëtare sigurisht të reagojë, pavarësisht nga rezultati i samitit në Lituani.
Brçko si model
Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të Asamblesë Parlamentare të Bosnjë-Hercegovinës, Denis Zvizdiç, u bëri thirrje anëtarëve të NATO-s që të vendosin ushtarë të NATO-s në territorin e saj bazuar në Aneksin 1A të Marrëveshjes së Dejtonit dhe nenin 7 të Statutit të Distriktit Brçko të B-H. Zvizdiç e bëri thirrjen pasi ligjet në Republika Srpska, të cilat i referohen mospublikimit të vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese, u botuan në Gazetën Zyrtare të RS.
“Me një vendim të tillë do të ndërpritet si masë parandaluese projekti i shkëputjes së Republika Srpska, i cili u inicua me vendimet e fundit të Kuvendit dhe më pas do të dëmtohej përgjithmonë”, tha Zvizdiç.
Sipas Marrëveshjes së Dejtonit, NATO është e detyruar të mbrojë paqen dhe sigurinë në Bosnjë- Hercegovinë, kujton analisti ushtarak Gjuro Kozar, duke thënë se nëse vendosen trupa, asnjë palë në Bosnjë-Hercegovinë nuk ka autoritet të reagojë në asnjë mënyrë. Kozar thekson se për momentin ka disa skenarë që mund të priten nga samiti i NATO-s.
“Një nga mpundësitë është dërgimi i trupave në rrethin e Brçkos, ku rreth njëqind ushtarë do të vendoseshin për arsye parandaluese, në mënyrë që të mos ketë kontroll të Brçkos nga RS,” thotë Kozar, duke deklaruar se NATO mund të vendosë njësitë e saj në çdo pjesë të territorit të B-H.
Megjithatë, disa analistë vënë në dyshim se çfarë ka mbetur nga Marrëveshja e Dejtonit, duke pasur parasysh se roli i Përfaqësuesit të Lartë, si interpretues suprem, është zvogluar me ligjet e fundit të miratuara në RS.
“Nga pikëpamja juridike, ju praktikisht keni një situatë në të cilën NATO do të duhej të rivendoste Marrëveshjen e paqes. Sepse nëse pyet Përfaqësuesin e Lartë, ai e degradon Kushtetutën, e cila është pjesë e Marrëveshjes së Dejtonit. “Kushdo që merr një vendim që ka pasoja për Marrëveshjen e Dejtonit, e degradon të gjithë marrëveshjen”, thotë Ahatoviq, duke shtuar se duhet të sqarohet se cilat pjesë të Marrëveshjes janë ende të vlefshme.
Vuçiçi paralajmëron
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, duke folur për situatën në Kosovë deklaroi para disa ditësh se data kyçe për B-H mund të jetë menjëherë pas samitit në Lituani.
“Situata në Republikën Srpska dhe Bosnjë-Hercegovinë do të jetë shumë më serioze dhe më e vështirë pas 12 apo 13 korrikut”, tha Vuçiç. Por ai refuzoi të flasë më shumë për këtë çështje dhe nuk zbuloi asnjë detaj lidhur me këto paralajmërime.
Ka dhe të tillë që nuk e besojnë se NATO mund të merret në këtë moment me çështjen e vendosjes së trupave në Bosnjë-Hercegovinë. Fokusi i interesit është ende Ukraina dhe Suedia, e jo B-H, thonë ata. Sipas tyre, për B-H mund të diskutohet vetëm në margjinat e samitit.
NATO në linjat etnike?
Megjithatë, dislokimi i mundshëm i forcave të NATO-s në B-H dhe e gjithë historia rreth krizës politike u komentua pak ditë më parë nga presidenti i RS Milorad Dodik. Ai përsëriti se asnjë ligj i Përfaqësuesit të Lartë nuk do të zbatohet në Republikën Srpska.
“Nëse Gjykata dhe Prokuroria e Bosnjë-Hercegovinës zbatojnë këto vendime të imponuara, atëherë ne do të miratojmë ligje që ndalojnë aktivitetet e tyre në RS. NATO nuk ka asnjë rol në proceset politike në RS. Ata kanë një mandat për të ruajtur paqen.
“Në një moment, kur situata politike të nxehet dhe duket se po shkon drejt tensionimit, ata me siguri do të vendosen në vijën e demarkacionit dhe do të ruajnë paqen”, beson Dodik./DW