Çmimet e produkteve ushqimore janë të papërballueshme për qytetarët. Njohës të fushës së ekonomisë mendojnë se edhe vendimi qeveritar që vuri kontrolle më të rrepta në pikat kufitare me Serbinë mund të jetë shfrytëzuar nga bizneset për të rritur çmimet.
Ndërsa, Oda Ekonomike kërkon inspektime me të mëdha si dhe kërkon nga qeveria që me vendimet e saj të mos i detyrojë tregtarët të rrisin çmimet.
Qytetarët ankohen për çmimet dhe kërkojnë ndihmën e shtetit pasi jetesa u është bërë e papërballueshme.
“Çmimet janë të shtrenjta, edhe në Gjermani janë të njëjta, ndërsa të ardhurat tona nuk janë askund, minimale, ndërsa në shtetet e tjera janë maksimale dhe çmimet janë të barabarta, nuk ka logjikë të jetë kështu…Qeveria ka ekspertet e saj që duhet të barazojë çdo gjë”, thotë qytetari Emrush Elshani.
“Çmimet janë të larta për pagat që janë në vend…Disi po duhet me ia dalë, sipas mundësive ashtu edhe po duhet të shpenzojmë. Qeveria të ketë pak rritje të rrogave, të pensioneve… Duhet të shtojë edhe numrin e shumë inspektorëve, sidomos në produktet e ushqimeve duhet me qenë në çdo market ta shohin çdo produkt sepse shumë keq kështu”, thotë qytetarja Mevlude Sylejmani.
“Sa më shumë t’i zbresin (çmimet) sepse për pensionistët është e vështirë. Por, dashtë Zoti të na zvogëlojnë çmimet, kish me qenë më së miri”, thotë një tjetër qytetar, Ramadan Ajvazi.
Pas rrëmbimit të tre policëve kufitarë nga autoritetet e Beogradit, Kosova vendosi për masa të shtuara në pikat kufitare me Serbinë. Kjo bëri që kamionët me targa serbe të mos kishin mundësi të hynin në Kosovë. Më pas, i njëjti vendim, i cili nuk u quajt ekonomik e tregtar, por i sigurisë, u lehtësua duke lejuar kamionët me targa serbe që transportonin mallra nga vendet e tjera të hyjnë në Kosovë.
Serbia është ndër vendet me praninë më të madhe të produkteve në tregun e Kosovës, ndërsa llogaritet që brenda një dite, ky shtet eksporton mallra në Kosovë në vlerë prej një milion eurosh.
Profesori i ekonomisë, Mustafë Kadrijaj deklaroi për kp se vendimet e tilla nuk janë të mira dhe kanë tendencën për t’u shfrytëzuar nga bizneset për të rritur çmimet.
“Tani kur e gjithë Kosova dhe e gjithë bota punojnë sipas ekonomisë së tregut dhe liberal dhe në të bëjmë këso hapa arbitrar, kjo do ta dëmtojë Kosovën si një shtet…Bizneset zakonisht kur ka këso spekulime ekonomike tentojnë që t’i rrisin çmimet dhe në këtë drejtim Ministria e Tregtisë përmes inspektoratit të tyre duhet të ndërmarrë hapa konform ligjit që të gjobiten bizneset që bëjnë rritje të çmimeve enorme”, tha Kadriaj.