Situata në veri të Kosovës dhe marrëdhëniet mes Prishtinës dhe Beogradit ishin kryefjala e bisedimeve të kryeministri Edi Rama me Presidentin serb, Aleksandër Vuçiç. gjatë takimit të zhvilluar mes tyre këtë të premte (7 korrik), në kuadër të turit ballkanik të ndërmarrë nga kreu i qeverisë shqiptare.
Në konferencën e përbashkët për shtyp, Rama vuri theksin te nevoja për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa vonesën në këtë drejtim e konsideroi “gabim strategjik”.
“Propozimi për draft-statutin për Asociacionin është një kontribut që kam dhënë dhe është shumë pozitiv, por nuk është diçka që duhet ta pranojnë domosdoshmërisht dy palët dhe as nuk është marrë në konsideratë nga asnjëra palë. Më vjen keq që disa nuk duan të kuptojnë se ky ishte një kontribut për Kosovën. Nuk jam konsultuar me Presidentin e Serbisë për këtë. Mendoj se vonimi i themelimit të Asociacionit është një gabim strategjik. Gjithashtu, mendoj se insistimi për të qëndruar në ndërtesat komunale është gjithashtu një gabim”, tha Rama.
Kryeministri shtoi se e vetmja rrugë përpara është dialogu dhe zbatimi i planit franko-gjerman.
“Me tensionet që janë prezente në veri të Kosovës, ne shmangim shprehjen e opinioneve tona publikisht, që të mos përkeqësojmë situatën dhe ta kthejmë atë në drejtim të gabuar. Do të përsëris se e vetmja rrugë përpara është rruga e dialogut dhe marrëveshjes bazuar në planin franko-gjerman. Askush nuk duhet të nënvlerësojë rrezikun e përshkallëzimit deri në atë pikë sa të gjendemi në një situatë që lëvizjet e armatosura të fillojnë të bëjnë diçka që nuk duhet të lejojmë të ndodhë, kjo do të na çonte në një situatë të krahasueshme me Donbass”, u shpreh ai.
Nga ana tjetër, Vuçiç tha se nuk e ka parë propozimin e Ramës për Asociacionin, por shtoi se krijimi i tij duhet të bëhet. Ai shtoi se qëllimi i Serbisë është paqja dhe se vendi i tij po punon në këtë drejtim.
“Pala serbe tashmë ka përmbushur gjithçka. Ne duam paqe dhe po punojmë drejt saj, sado e vështirë të jetë, gjithmonë në Tiranë dhe Prishtinë do të ketë nga ata që fajtorin do ta shohin gjithmonë në Serbi. Asnjëherë nuk e kam pasur problem të flas me Kurtin, kam marrë pjesë në të gjitha bisedat. Neve na takon të ruajmë paqen dhe të mendojmë për përparimin ekonomik. Nuk e kam parë propozimin e Edi Ramës. Vendosni parimet në statut dhe kaq, serbët pranuan gjithçka tjetër, madje edhe mbrojtjen civile. Në fund të fundit është se ZSO duhet të formohet. Nuk kam parë asnjë propozim”, tha Vuçiç.