Sot më 7 Korrik 2023 mbushen 29 vite nga shkrimi im për varrimin dhe ndarjen përgjithmonë nga atdhetari e patrioti i madh, Heroi i Kombit Ahmet Haxhiu!
Më poshtë e keni tekstin e dërguar për botim në Zërin e Kosovës, që njoftonte për varrimin e Bacës Ahmet!
Është firmosur me Nezir Uka, me njërin nga pseudonimet e mia!
Ismet Sylejmani,
Prishtinë, 7 Korrik 2023!
ATDHETAR I DEVOTSHËM
Më 06.07.1994 vendlindja e simbolit të rezistencës sonë kombëtare Adem Demaçit dhe dëshmores së popullit Ylfete Humollit, kishte ditë zie!
Një kolonë e gjatë dhe e pafund automjetesh që erdhi nga Prishtina, i solli Lupçit të Ulët trupin e pa jetë të birit të tij; – i solli trupin e Ahmet Haxhiut që për vite të tëra ishte kalbur burgjeve të ish-Jugosllavisë titiste; – i solli trupin e Ahmet Haxhiut që për lirinë dhe pavarësinë e Atdheut kishte bërë gjithçka dhe çdo gjë që kishte qenë e mundur të bëhej!
Për t`ia bërë përcjelljen e fundit Ahmet Haxhiut këtij biri të madh e të devotshëm ndaj çështjes së lartë të popullit dhe Atdheut e veprimtarit aktiv e besnik të LËVIZJES POPULLORE TË KOSOVËS, kishin ardhur qindra qytetarë nga Republika e Kosovës dhe viset e saj.
I fundit nga Ahmet Haxhiu nda bashkveprimtari i tij Adem Demaçi!
Adem Demaçi në mes tjerash tha se :
‘’…Po ndahemi nga vëllau ynë Ahmet Haxhiu, që edhe pse vdekja e babait (që ia kishin vrarë armiqt), e gjeti në moshë të re, e detyroi të merrte mbi supe barrën e rëndë të mbikqyrjes së familjes, por nuk e theu dot dhe nuk mundi ta pengonte që të mos merrej me çështjen kombëtare. Ahmet Haxhiu,- vazhdoi më tej Adem Demaçi,- ishte në mesin e atyre bijëve që interesin e përgjithshëm e kishin vënë mbi atë personal. Kapitullin e filluar të luftëtarit për lirinë e Atdheut, Ahmet Haxhiu e mbylli me faqe të bardhë, përfundoi Baca Adem…’’!
Pjesmarrja në varrimin e Ahmet Haxhiut nuk ishte masive ashtu siç jemi mësuar të shohim skena madhështore e impozante, atëherë kur luftëtarët bienin drejpërdrejt në fushë të mejdanit, edhe pse një nderim të tillë e meritonte Ahmeti pa kurrfar dyshimi!
Por ata pjesmarrës që ishin aty, me plot kuptimin e fjalës mund të thuhet se ishin njerëzit më kompetent, mbi supet dhe nën drejtimin e të cilëve është zhvilluar dhe zhvillohet tërë lufta për lirinë dhe pavarësinë e Atdheut.
Një përcjellje të këtillë lamtumirëse e me një përbërje të tillë kualitative të pjesëmarrësve të varrimit, e meritonte Ahmet Haxhiu që në përbërje të delegacionit të LPK-së ishte pritur në takim zyrtar nga ish-presidenti i Shqipërisë Ramiz Alia!
Përpos simbolit të rezistencës sonë kombëtare Adem Demaçit, në varrim morën pjesë edhe ish të burgosur politik e veteran të luftës për liri, veprimtarë të subjekteve politike, shokë të Ahmet Haxhiut në mesin e të cilëve veçojmë: Ali Aliun, Ramadan Hoxhën, poetin Zeqir Gërvallën, Hydajet Hysenin deputet, Skender Kastrati antar i kryesisë së LDK-së, Selatin Novosellën deputet, Mehmet Hajrizin deputet, Basri Musmuratin deputet, Sejdi Veselin, Osman Dumoshin, Adil Pirevën, Xhabir Morinën etj., etj..!
Varrimi i Ahmet Haxhiut kaloi në mënyrë të qetë dhe pa ndonjë provokim të mundshëm nga ana e pushtuesit!
Nezir Uka
Më 07.07.1994
Prishtinë